Policia bastis pronat e vëllait të ish-kryeministrit Milo Gjukanoviçit, në qendër të Podgoricës Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë si shtete vëzhguese në takimin ministror të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, që mbajt të martën në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shkup.
Prishtina, në këtë takim u përfaqësua nga ministri i saj i Jashtën, Enver Hoxhaj, ndërsa Beogradi nga ambasadori serb në Maqedoni.
Edhe përkundër këtij përfaqësimi, ulja në një tavolinë të përbashkët e përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë u mirëprit nga vendet anëtare të Kartës së Adriatikut (A5).
“Qëndrimi ynë është se iniciativat rajonale duhet të jenë gjithëpërfshirëse, në mënyrë që, kushdo që shpreh dëshirën të bëhet pjesë e çdo nisme rajonale, do të ketë mbështetjen e Maqedonisë. Ky është qëndrimi ynë dhe ka të bëjë edhe më interesin e treguar nga fqinjët tanë kosovar, të cilët u shprehen të gatshëm të bëhen pjesë e Kartës së Adriatikut”, tha Nikolla Popovski, ministër i Punëve të Jashtme në Maqedoni.
Zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Azinë, Philip Reeker, u bëri me dije edhe një herë vendeve të rajonit se, për të ecur përpara, fillimisht duhet të mbyllin të gjitha cështjet e hapura. Ai inkurajoi vendet pjesëmarrëse në takimin e sotëm ministror, që të thellojnë bashkëpunimin, pasi – sipas tij – një gjë e tillë sjell vetëm përfitime.
“Është e domosdoshme të mbyllen cështjet politike mes vendeve të rajonit. Jemi të kënaqur nga përpjekjet, që po bëjnë Kosova dhe Serbia në këtë drejtim. SHBA-të duan t’i çojne bisedimet në nivele të tjera, sepse duam që të tregohet respekt i ndërsjelltë, pasi e kemi të qartë se ky rajon, ose do të përparojë së bashku, ose do të mbetet i gjithi në vend”, tha Reeker.
Serbia, javën e kaluar, anuloi pjesëmarrjen në takimin e ministrave të Mbrojtjes, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, ndërsa në fillim të këtij muaji u anulua Samiti i presidentëve të rajonit në Ohër, pasi zonja Atifete Jahjaga nuk u ftua në takim nga kolegu i saj maqedonas, për shkak të presioneve nga pala serbe.
Top Channel