Mungesa e objekteve shkollore për nxënësit shqiptarë dhe diskriminimi i shqiptarëve nga qeveria në fushën e arsimit dhe kulturës, ishin disa nga çështjet e ngritura nga deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu para zv.kryeministrit përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, i cili raportoi para deputetëve për proçesin e decentralizimit.

“A e di ministri sa shkolla të mesme kanë shqiptarët në Maqedoni? Vetëm diku tek 15-a, ndërsa vetëm Shkupi ka mbi 20 shkolla. A e di ministri sa mjete ndan qeveria për komunat shqiptare dhe për ato maqedonase në arsim e kulturë?”, tha Fazliu.

“E pranoj, nuk jam i përgatitur për disa pyetje tuajat se sa shkolla të mesme kanë shqiptarët në Maqedoni, sa qendra kulturore, sa donacione e subvencione”, u përgjigj nga ana e tij Xhaferi.

Deputeti i PDSH-së polemizoi me zv.kryeministrin Musa Xheferi edhe për ndryshimin e emrave të katër shkollave fillore në komunën e Çairit në Shkup.

Sipas tij, emrat e patriotëve shqiptarë mbeten vetëm në tabelat e shkollave, pasi në Ministrinë e Arsimit këto shkolla ende figurojnë me emra serbë e maqedonas.

“Dalëngadalë po del në shesh një skandal apo mashtrim i madh që ju e bëtë për përfitimin e pikëve politike: të luash me nxënësit dhe me figurat e kombit dhe në fund përsëri ato shkolla do të vazhdojnë të funksionojnë zyrtarisht me emrat e figurave maqedonase”, theksoi Fazliu.

“Nuk mund të jem preçiz se si do të jenë diplomat e shkollave fillore të Çairit, nuk dua të spekuloj, por ato shkolla do të kenë emra të rinjë”, tha nga ana e tij Xhaferi.

Një problem tjetër për nxënësit shqiptarët përbëjnë tekstet shkollore me përmbatje fyese, për të cilat ende nuk është marrë një vendim që të tërhiqen nga përdorimi.

Top Channel