Protestat në Brazil, qeveria nxjerr ushtrinë

19/06/2013 00:00

Qeveria braziliane njoftoi se do të nxjerrë në rrugë ushtrinë në pesë qytetet e mëdha të vendit të përfshira nga protestues që kërkojnë një shërbim publik më të mirë.

Ushtarët do të vendosen në Rio de Janeiro, Minas, Gerais, Bahia, Ceara dhe në kryeqytetin Brazilia. Rreth 300 mijë qytetarë kanë dalë në protesta ditët e fundit në vendin amerikano-latin duke kritikuar qeverinë për shpenzime e mëdha që po bën për organizimin e kupës së botës në 2014 dhe të lojërave olimpike të 2016.

Protestuesit thonë se do të ishte më mirë që këto para të investoheshin në shërbime publike për një arsim dhe shëndetësi më të mirë.

Të martën u regjistruan protesta të forta mes protestuesve dhe policisë në San Paolo. Protestuesit thyen xhama dyqanesh e bankash në rrugët e qytetit më të madh të vendit. Karakteristikë e protestave të së martës ishte përleshja mes vetë protestuesve. Një grup i tyre i maskuar, që theu xhama e dogji makina në rrugët e San Paolos, u përlesh me pjesën tjetër të qytetarëve që kërkuan të ndalnin dhunën.

Protesta cilësohet si më e madhja që ka përfshirë Brazilin vitet e fundit. Ato nisën si valë indinjate ndaj rritjes së kostos së transportit publik dhe  shpenzimeve të mëdha për Kupën e Botës në 2014-tën. Çmimi i biletave të autobusëve u shtua nga 3 realë ose një dollar, në 3,20.

Top Channel