Pentagoni: 4 amerikanë vriten në Bagram

19/06/2013 03:00

4 amerikanë janë vrarë gjatë një sulmi me raketë në bazën ajrore të Bagramit, në periferi të Kabulit, bëri të ditur një zyrtar i Pentagonit të martën.

Forcat Ndërkombëtare Ndihmëse të Sigurisë (ISAF), të kryesuara nga SHBA-të, konfirmuan se 4 anëtarë të shërbimit të koalicionit të NATO-s janë vrarë në një sulm, por nuk bëri të ditur shtetësitë e të vdekurve dhe vendin ekzakt të sulmit.

Në një deklaratë me shkrim, ISAF tha se 4 ushtarë u vranë në “një sulm në lindje të Afganistanit”. Lajmi për të vdekurit vjen teksa trupat ushtarak me në krye NATO-n, transferuan përgjegjësinë për sigurinë te forcat afgane.

Presidenti afgan, Hamid Karzai, tha se mirëpret tërheqjen e trupave amerikane dhe këmbëngul se ushtria e tij mund të mbrojë vendin kundër talebanëve.

“Është ekzaktësisht detyra jonë, për t’u përballur me ta, dhe ne jemi të aftë për ta bërë këtë gjë”, ka thënë Karzai që në fillim të këtij viti.

E megjithatë, ka shqetësime në lidhje me aftësitë e forcave të sigurisë afgane, për t’u përballur me talebanët dhe grupet e tjera militante.

Talebanët vazhdojnë të kryejnë sulme të profilit të lartë në kryeqytet, Kabul, duke vënë në shënjestër edhe Gjykatën Supreme afgane, gjatë një sulmi vrastar në qershor. Një tjetër sulm kishte shënjestër një ndërtesë pranë Aeroportit ndërkombëtar të Kabulit.

Të martën, një i armatosur sulmoi shoqëruesin e Haji Mohammad Mohaqiq, një anëtar i parlamentit, duke vrarë 3 persona dhe plagosur 21 të tjerë. 3 shoqërues ishin mes të plagosurve. Mohaqiq, një shiit me etni Hazara, është anëtar i opozitës afgane.

Forcat amerikane, të cilat numërojnë tashmë 66 mijë ushtarë, priten të ulen në 32 mijë në fund të këtij viti.

Plani është për të tërhequr të gjitha trupat luftarake, por duke lënë një forcë të vogël në vend, për të ndihmuar në trajnimin e forcave afgane, si dhe për kryerjen e operacioneve antiterrorizëm, kur të jetë e nevojshme.

Top Channel