Obama: SHBA-Rusi të reduktojnë arsenalet

19/06/2013 16:30

Presidenti amerikan Barack Obama e ka përdorur fjalimin e tij publik në Berlin për të propozuar reduktimin e një të tretës së arsenalit bërthamor amerikan dhe rus.

Presidenti ka bërë gjithashtu thirrje për reduktimin e numrit të kokave të raketave të vendosura në Evropë. Ky është fjalimi i parë i zotit Obama në Berlin si president i Shteteve të Bashkuara.

Fjalimi i drejtuar studentëve dhe zyrtarëve qeveritarë në Portën e Brandenburgut vjen pothuajse 50 vjet pasi John F Kennedy celebroi fjalimin me titull “Ich bin berliner”, (unë jam berlinez).

“Porta e Brandenburgut, që dikur ndante Lindjen nga Perëndimi, ishte simboli që tregonte se askush nuk mund t’i bëjë ballë dëshirës së zjarrtë për drejtësi, që digjet në zemrën e njeriut”, është shprehur Obama.

Kur filloi fjalimin e tij, Obama hoqi xhaketën, duke i thënë turmës që po e priste në temperaturën 33 gradë Celsius se: “Mund të tregohemi pak informalë mes miqsh”.

Presidenti e ka përdorur gjithashtu këtë fjalim për të treguar se Shtetet e Bashkuara kanë qenë në gjendje të garantojnë sigurinë e tyre dhe atë të aleatëve, si dhe të ruajnë besueshmërinë duke reduktuar armatimet bërthamore me një të tretën e nivelit që ishte në arritjen e traktatit “New Start” në vitin 2010.

Në bazë të këtij traktati, secilës palë i lejohet një maksimum prej 1.550 koka bërthamore dhe jo mbi 700 koka të tilla të montuara në raketa.

“Ne kemi ndërmend të punojmë me Rusinë për të ecur përtej imazhit bërthamor të Luftës së Ftohtë”, ka thënë Obama, duke shtuar se SHBA do të punojnë edhe me aleatët e tjerë të NATO-s për të kërkuar “reduktime drastike” në përdorimin e armëve taktike në Evropë.

“Shtetet e Bashkuara do të përpiqen gjithashtu të ngrenë një strukturë të re ndërkombëtare për përdorimin e energjisë bërthamore në mënyrë paqësore, si dhe për të refuzuar nuklearizimin e vendeve si Korea e Veriut dhe Iranit”, ka thënë më tej Obama.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë gjatë këtij fjalimi historik ka vlerësuar edhe figurën e kancelares gjermane Angela Merkel, duke thënë:

“Nga një vajzë nga Lindja sot ajo është liderja e Gjermanisë. Bashkë me të duam të punojmë për rritje ekonomike dhe punësim, nuk do të lëmë pas një gjeneratë të humbur”, ka vlerësuar Obama.

Ndërsa Merkel nga ana e saj është shprehur se: “Është meritë edhe e Shteteve të Bashkuara që sot Porta e Brandenburgut është një vend uniteti dhe jo ndarjeje”. 

Top Channel