Obama në Berlin, fjalim si Kennedy

19/06/2013 04:55

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka mbërritur në Berlin për një vizitë, gjatë së cilës ai do t’i drejtohet turmës nga porta e Brandenburg-ut, objekti më i famshëm i qytetit.

Ai iu drejtua për herë të fundit berlinezëve, si një kandidat për president në 2008-n, duke mbledhur një turmë prej 200 mijë vetësh në qytetin, dikur të ndarë në dy pjesë.

Fillimisht, si do të zhvillojë bisedime me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Vizita e tij vjen menjëherë pasi liderët e G8 mbështetën thirrjet për mbajtjen e bisedimeve për paqe ndaj Sirisë, në Gjenevë, “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Kjo është vizita e parë e Obama-s në Berlin si president i Amerikës, ndërsa fjalimi i tij ndaj studentëve dhe zyrtarëve të qeverisë në Portën e Brandenburg-ut, vjen pothuajse 50 vjet pasi John F. Kennedy mbajti fjalimin e famshëm “Ich bin ein Berliner” (Unë jam berlinez).

Në fjalimin e tij në Portën e Brandenburg-ut, Obama pritet të bëjë atë, që zyrtarët amerikanë e përshkruajnë si “një thirrje për veprim” për Perëndimin, për të qenë më pjesëmarrëse në cështjet globale.

Ai pritet të flasë gjithashtu në detaje, edhe për mënyrat e promovimit të demokracisë dhe dhënien fund të konflikteve, ashtu si dhe përballja me ndryshimet klimaterike dhe përhapjen e armëve bërthamore.

Kancelarja Merkel, e cila do të angazhohet me votimet e muajit shtator, e ka bërë të qartë se do të kërkojë “më shumë transparencë” në lidhje me programet e survejimit amerikan të internetit dhe telefonave, problem që shpërtheu javën e kaluar.

“Ne duhet të jemi të qartë, cfarë po përdoret dhe cfarë nuk po përdoret”, tha ajo, duke shtuar se, ndërkohë që shërbimet sekrete duhet të luftojnë terrorizmin, “kjo gjë duhet të jetë proporcionale”.

Kreu i agjencisë amerikane të spiunazhit elektronik, gjeneral Keith Alexander, tha të martën se programet kanë ndihmuar të pengojnë 50 sulme terroriste, që prej 2001-shit.

Top Channel