
Ratifikimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
pritet të dalë për shqyrtim në seancën e të enjtes në Kuvendin e
Kosovës.
Koalicioni qeverisës të enjten pritet të ketë mbështetjen edhe të partisë më të madhe opozitare në Kuvend, Lidhjes Demokartike të Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka konfirmuar se partia e tij e mbështet ratifikimin e marrëveshjes duke e cilësuar atë si një hap të mirë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përkrahur marrëveshjen e cila është trajtuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, LDK do ta ratifikojë këtë marrëveshje në Kuvend sepse e konsiderojmë si një hap të rëndësishëm i stabilizimit të gjendjes në Kosovë dhe përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Mustafa.
Për ratifikimin e Marrëveshjes, qeveria dhe partitë e koalicionit do të kenë mbështetjen edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e cila është pjesë e procesit përmes nënkryetarit Blerim Shala, si koordinator i negociatave.
Gjithashtu, marrëveshja përkrahet edhe nga partitë e pakicave, çka e bën më të lehtë realizimin e synimeve të qeverisë për ratifikimin, pasi që kjo procedurë kërkon dy të tretat e votave të deputetëve, gjegjësisht 80 vota për.
Seanca e jashtëzakonshme nga PDK-ja ishte kërkuar që të thirret para takimit të radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç që do të mbahet më 20 qershor në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton.
Top Channel