Ministrja e Jashtme e Italisë, Emma Bonino e vlerësoi me nota pozitive marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë një vizite zyrtare në Prishtinë, Bonino tha se kjo marrëveshje duhet të shërbejë si sinjal për vendet e Bashkimit Europian që të mbështesin rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Duke folur konkretisht për samitin e 27 dhe 28 qershorit të Këshillit të Europës, nga i cili Kosova pret hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, shefja e diplomacisë italiane uroi suksese në këtë drejtim. Këto komente zonja Bonino i bëri pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Mendoj se marrëveshja qe keni nënshkruar më 19 prill është një arritje shumë e madhe dhe tani pritet zbatimi i saj. Unë jam këtu në prag të samitit të Këshillit të Europës, i cili do të jetë më 27 dhe 28 qershor dhe mendoj se Europa ka një përgjegjësi që të ofrojë, të pranojë dhe të shpërblejë vendimet e guximshme që janë marrë në rajon nga lidershipi juaj dhe miqtë tanë në Beograd. Marrëveshja është një arsye që Europa të finalizoë çështjen e stabilizim asociimit. Siç e thatë edhe ju, kjo marrëveshje mund të vendosë një dinamikë tjetër në rajon dhe po kështu mund të shtyjë vendet e tjera të lëvizin përpapra dhe të shohin që, këto janë momente ku ju keni mundësi ju duhet t’i shfrytëzoni ato sepse nuk janë aty përgjithmonë”, ka deklaruar Bonino.

Në takimin Bonino-Hoxhaj u diskutua edhe liberalizimi i vizave për Kosovën me vendet e Bashkimit Europian. Hoxhaj kërkoi nga Brukseli zyrtar një dinamikë tjetër për këtë çështje.

Ndërkaq, sa i përket samitit të 27 dhe 28 qershorit Hoxhaj tha se vendimi do të jetë kyç për të ardhmen europiane të Kosovës. Shefja e diplomacisë italiane Emma Bonino paraditen e së mëkurës u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërsa në takimin me ministrin e Drejtesisë, Hajredin Kuçi u nënshkruan dy marrëveshje mes Italisë dhe Kosovës, ajo për bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe për ekstradim dhe ndihmë të ndërsjellë juridike për çështjet penale.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta