FBI: Dronë për kontrolle brenda SHBA-së

19/06/2013 20:40

FBI ka përdorur avionë pa pilot (dronë) brenda territorit të Shteteve të Bashkuara për qëllime survejimi, zbuloi të mërkurën drejtori i përgjithshëm i Byrosë Federale të Hetimeve, Robert Mueller.

Zbulimi u bë gjatë një seance dëgjimi përpara një komiteti të Senatit Amerikan.

Mueller tha se “FBI ka në dispozicion një numër tepër të kufizuar dronësh, të përdorur në mënyrë minimale dhe vetëm në raste ekstreme”.

Megjithatë, drejtori shtoi se FBI është në hapat e para të zhvillimit të politikave të kontrollit nëpërmjet avionëve pa pilotë.

Përdorimi i droneve brenda territorit amerikan pritet të rrisë edhe më tej presionin mbi administratën e Obamës, e akuzuar se ka abuzuar me rritjen e kontrollit shtetëror në nivele të paprecedenta.

Më parë gjatë qershorit, Uashingtoni u vendos në qendër të kritikave ndërkombëtare, pasi u mësua për ekzistencën e një sistemi kompiuterik që kontrollonte në mënyrë të detajuar deri aktivitetet private të individëve në adresat e tyre në internet apo rrjete shoqërore.

Top Channel