Nuk do të ketë këmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk do të
ketë as Shqipëri të madhe. Kështu ka deklaruar Kryeministri i Kosovës,
Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën vjeneze “Die Presse”.

Thaçi ka vlerësuar se takimet e zhvilluara mes tij dhe homologut serb, Ivica Daçiç kanë qenë në funksion të stabilitetit, paqes dhe krijimit të fqinjësisë së mirë midis dy vendeve.

“Marrëveshja e arritur për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është barë pas një konflikti 100-vjeçar. Kosova dhe Serbia kanë lënë prapa të kaluarën dhe tani kanë bërë një axhendë që i shërben së ardhmes jo vetëm për të dyja vendet, por edhe për gjithë rajonin. Marrëveshja gjithashtu është në shërbim të serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, të cilët tani kanë filluar t’i kthehen normalitetit”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri ka theksuar se Serbia po shfaq një tendencë për të zvarritur implementimin e marrëveshjes së Brukselit, por ka nënvizuar se zbatimi i saj nuk ka alternativë.

“Mirëpo implementimi i marrëveshjes nuk ka alternativë, sepse ndryshe as për Kosovën e as për Serbinë nuk do të ketë të ardhme evropiane”, ka deklaruar Thaçi.

Duke folur për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kryeministri ka deklaruar se Kosova po punon për hapjen e kufijve dhe jo mbylljen e tyre.

I pyetur për tendencat për një “Shqipëri të madhe”, Thaçi ka vlerësuar se kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është keqkuptuar, sepse bëhet fjalë për krijimin e kushteve në rajon ku njerëzit të mund të jetojnë pa kufizime, por ku do të respektohen kufijtë shtetërorë. “Vetëm si shtete ne mund të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian”, ka shtuar Thaçi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta