Pirateria, Afrika Perëndimore lë pas Somalinë

18/06/2013 00:00

Pirateria në brigjet e Afrikës Perëndimore ka kaluar piraterinë në
Somali, tregon një raport i Zyrës Ndërkombëtare Detare, IMB dhe grupe të
tjera që kanë studiuar fenomenin.

Raporti flet për 966 sulme të kryera në Afrikën Perëndimore në vitin 2012, krahasuar me 851 të kryera nga piratët somalezë në të njëjtën periudhë.

Piratët në brigjet e AP sulmojnë kryesisht anije-çisternë që transportojnë karburante, shpesh herë duke përdorur dhunë ekstreme.

Pesë nga 206 pengjet e rrëmbyera vitin e kaluar në Afrikën Perëndimore janë vrarë, thotë dokumenti, sipas të cilit pavarësisht rritjes së rasteve, fenomenit në Gjirin e Guinesë nuk i është kushtuar vëmendja e duhur siç u bë me Somalinë.

Piratët sulmojnë kryesisht anijet që transportojnë karburant, të cilin pasi e grabisin e shesin në tregun e zi fitimprurës.

“Në Nigeri paratë lëvizin më shpejt, ndryshe nga Somalia. Në Somali duhen muaj. Në Nigeri, piratët marrin naftën tonë dhe paratë e kompanisë detare dhe u duhen pak javë për t’i lëvizur”, thotë një marinar i cituar nga BBC.

Raporti thotë se frenimi i piraterisë si në Afrikën Perëndimore dhe në Somali kërkon bashkëpunim dhe koordinim të përpjekjeve në det dhe në tokë, ngritjen e strukturave të sigurisë, por edhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë që joshen nga fenomeni.

Dokumenti thotë më tej se pirateria ka pësuar një rënie në brigjet somaleze, kjo si pasojë e organizimit më të mirë të ekuipazheve të anijeve dhe pajisja e tyre me roje të armatosura.

Top Channel