Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e quan kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, shërbëtor të zellshëm të aspiratave të Serbisë.

Në një konferencë për media, ku Lëvizja Vetëvendsoje sërish shfaqi mendimin e vet kundër marrëveshjes së 19 prillit, Albin Kurti e cilësoi Thaçin si një politikan pro serb, i cili, nëpërmjet marrëveshjes së fundit – siç shprehet Kurti – rrezikon ta kthejë Kosovën nën Serbi.

“Sovraniteti i Kosovës, me këtë marrëveshje, ka kapitulluar”, theksoi kryetari i Vetëvendosjes. E thirrur si e jashtëzakonshme, gjatë kësaj konference, e cila mbahet në prag të ratifikimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi nga Kuvendi i Kosovës, Vetëvendosje paralajmëroi një aksion simbolik këtë martë (dje) në orën 21:00, në 28 qendra të Kosovës, si dhe demonstratë në ditën e ratifikimit të saj.

Duke folur për dëmet nga ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend, Kurti tha se asnjë shqiptar nuk do të mund të punojë më në veri të Kosovës, rrjedhimisht etnia serbe po fiton një status të privilegjuar, diçka kjo e e papranueshme për Vetëvendosjen.

Më tej, numri 1 i këtij subjekti politik foli edhe për pasojat ekonomike të marrëveshjes, si rreziku për të humbur kontrollin mbi burimet natyrore, liqenin e Ujmanit dhe Trepçën.

Lidhur me faktin, që partitë e tjera i kanë thënë ‘po’ marrëveshjes, Albin Kurti sërish iu kthye kritikave ndaj qeverisë së Kosovës, e cila – sipas tij – nëpërmjet ratifikimit nga Kuvendi, po tenton ta shpërndajë fajin me të gjithë.

Top Channel