Ish-ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Bujar Bukoshi është çliruar nga akuza e ngritur ndaj tij për aferë korruptive në rastin e tenderit për kompaninë “Jona Med”.

Në përfundim të seancës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Bukoshi e ka cilësuar proçesin gjyqësor si të drejtë e të rregullt.

“Unë mendoj se sot ka qenë një vendim i drejtë e i rregullt. Unë mendoj se duke gjykuar në bazë të këtij proçesi konkret dhe të kësaj gjyqtareje korrekte, Kosova ka predispozita të mira që në të ardhmen siguria juridike e qytetarëve të jetë ashtu siç duhet”, ka deklaruar Bukoshi.

Ndërkohë, ish-sekretari i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj është shpallur fajtor për veprat penale të nxitjes së falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe shmangie të deklarimit të të ardhurave nga jashtë.

Tolaj është dënuar me 18 muaj burg, 1 mijë euro gjobë dhe 3 vjet ndalim të ushtrimit të funksionit të tij në administratën publike, raporton “RTK” në edicionin online.

Sipas burimit, Ilir Tolaj, i cili akuzohej edhe për korrupsion në lidhje me tenderin për kompaninë “Jona Med”, ka deklaruar se do ta apelojë vendimin.

Ndërkohë, gjykata ka dënuar edhe dy persona të tjerë për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe mitmarrjes, si dhe ka shfajësuar tre të pandehur të tjerë. 

Top Channel