G8, Rusia: S’diskutohet ndalim-fluturimi mbi Siri

18/06/2013 01:00

Çelja e samitit të G8-tës në Irlandën e Veriut përkoi me paralajmërimet e Rusisë se nuk ka për ta lejuar krijimin e një zone të ndalim-fluturimit mbi Siri.

Mikpritësi i takimit, David Cameron, kishte shpresuar në gjetjen e një gjuhe të përbashkët me Moskën, kundërshtare të planeve për armatosjen e rebelëve sirianë. Por, kjo me sa duket nuk do të jetë e lehtë.

“Mundësia e një zone ndalim-fluturimi mbi Siri është jashtë çdo diskutimi. Ne nuk do ta lejojmë një skenar të tillë”, tha Alexander Lukashevich, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse.

Edhe pse samiti dy ditor pritet të fokusohet te çështjet e ekonomisë, Siria do të jetë padyshim një nga temat mbizotëruese të axhendës.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara shprehën gatishmërinë për t’i dërguar armë forcave të opozitës, duke sqaruar se kanë prova, që trupat e Bashar al Assad-it kanë përdorur armë kimike në një “shkallë relativisht të ulët”.

Kryeministri britanik Cameron, që e mbështeti heqjen e embargos europiane të armëve kundër rebelëve, thotë se Londra nuk ka marrë ende asnjë vendim, nëse do të ndjekë shembullin e Washington-it.

Megjithatë, është e drejtë – shtoi ai, – që Perëndimi ta ndihmojë, ta asistojë e ta këshillojë opozitën siriane.

Bisedimet me presidentin rus, Vladimir Putin, për këtë temë do të jenë të vështira, sepse Moska mbështet pushtetmbajtësin Bashar al-Assad, dhe shefi i Kremlinit konsiderohet personi kyç në arritjen e një marrëveshjeje të grupit për Sirinë.

Regjimi i Assad-it është izoluar akoma më shumë në botën arabe. Duket se dhe egjiptianët duan t’i ndërpresin të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Damaskun. I vetmi vend, që e mbështet në rajon, ka mbetur Irani, por pas zgjedhjeve të fundit presidenciale nuk është çudi, që edhe ai të marrë një pozicion të ri.

Top Channel