
Ai është gjysmë-austriak e këtë e thotë me krenari. Mirditi është djali i Dhimitër Kostës dhe austriakes Ermi Pirsh. Dhimitri, i lindur në një familje pogradecare në Rumani, studioi për inxhinieri-ndërtimi në Austri ku edhe u njoh me dashurinë e jetës së tij.
“Babai është njohur me nënën time në qytetin e Gracit. Aty u fejuan, u martuan dhe unë kam lindur aty. Në moshën 3-vjeçare jemi nisur drejt Shqipërisë”, tregon Mirditi.
Më 1946, çifti do të hidhte një hap për të cilin do të pendoheshin rëndë pas shumë kohësh. Duke u nisur nga një thirrje e qeverisë së porsadalë nga lufta për rindërtimin e Shqipërisë, ata vendosën të vijnë në Shqipëri duke refuzuar një ofertë për të ikur në Kanada: “Im atë e pranoi Shqipërinë meqë ishte edhe më afër Austrisë.”
Udhëtimi drejt atdheut nuk ishte i lehtë për familjen Kosta. Për shkak të shtetësisë rumune të Dhimitrit, ata u ndaluan më shumë se tre muaj në një kamp përqëndrimi në Beograd. Mikpritja duket se nuk ishte e mirë për familjen Kosta sapo shkelën territorin shqiptar: “Im atë nuk më ka thënë kurrë se çfarë i ndodhi në kufi, por para se të vdiste më tha që pashaportën rumune ia kishin grisur në Kukës.”
Austriakja Emri Pirsh që në fillim do të përballej me një Shqipëri të frikshme. Për shkak të punës së të shoqit ata u vendosën në një cadër në Urën Vajgurore: “Në atë çadër ishte tmerr, sidomos kur binte shi. Gjithsesi, mamaja kur e pyesnin a vuante, përgjigjej se çadra kishte romantikën e vet.”
Larg adheut të saj, në një dikaturë që nuk donte as shtetasit e vet, zonja Pirsh duhet të merrte leje në Ministrinë e Brendshme për të takuar bashkëkombaset e saj në Tiranë, por një herë ajo iku pa leje dhe e pagoi shtrenjtë: “E arrestuan sapo u kthye dhe e futën në një birucë në policinë e Durrësit dhe e mbajtën gati dy ditë. Ajo pësoi traumë aty.”
Ermi nuk hoqi dorë nga nënshtetësia austriake sepse kishte një arsye shumë të fortë: “E mbajti nënshtetësinë për të takuar nënën e saj sepse ajo i kishte thënë që nuk donte të dëgjonte asnjë ankesë për vendimin për të jetuar në Shqipëri. E mbajti nënshtetësinë me shpresë se do të takonte nënën.”
Ajo nuk e vizitoi kurrë Austrinë, por në letrat që shkëmbente me familjarët nuk u ankua kurrë për jetesën në Shqipëri. Si për të shlyer amanetin e së ëmës, Mirditi vizitoi Austrinë në vitin 2002.
“Shkova në Austri dhe u ndjeva keq sepse po shkoja unë dhe jo nëna ime”, thotë Mirditi.
Libri “Cadrat e Kuqe”
Është diskutuar shumë për ndihmën që Austria i ka dhënë Shqipërisë për shpalljen e pavarësisë, por ka diçka që i bashkon edhe më shumë.
Ka një histori të përbashkët të dy kombeve që përcillet përmes familjeve shqiptaro-austriake. Janë të shumta rastet kur burrat shqiptarë u martuan me gra austriake apo e anasjellta. Fatet e këtyre familjeve janë në fokus të librit “Cadrat e kuqe”, një projekt i nisur nga i ndjeri Ardian Klosi, me mbështetjen e Ambasadës Austriake dhe që u përfundua nga Fatos Baxhaku.
Në këtë libër bëhet fjalë kryesisht për pasardhësit e grave austriake, të cilat, në shumicën e rasteve përmes martesës, gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, erdhën dhe në vijim qëndruan në Shqipëri. Përmes dokumenteve akivorë, rrëfimeve të pasardhësve e dëshmive të atyre që bashkëjetuan me ta, pasqyrohet jeta e austriakëve në Shqipëri.
Fatet e trashëgimtarëve të këtyre njerëzve që erdhën si emigrantë, por e deshën këtë vend, janë të shumta, prekëse, madje shpeshherë tragjike. Shumë nga këto familje përjetuan, sidomos gjatë kohës së diktaturës, vuajtje të rënda duke u përballur me përndjekje dhe diskriminim.
Ky libër shërben më së miri për të kujtuar atë që ka ndodhur sepse historia mbahet mend vetëm duke mos i harruar ngjarjet.
Top Channel