Çështja bërthamore, Irani premton transparencë

18/06/2013 15:50

Presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Hassan Rouhani, premtoi më shumë transparencë mbi programin bërthamor të vendit të tij, gjatë konceferencës së tij të parë për shtyp, ditën e hënë.

Në shfaqjen e parë publike që prej zyrtarizimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të së premtes, Rouhani i konsideroi sanksionet e vendosura nga vendet e huaja si të padrejta dhe diskriminuese.

Megjithatë, ndërsa premtoi më shumë transparencë dhe bashkëpunim për çështjen e programit bërthamor, ai theksoi se Teherani do të vazhdojë procesin e pasurimit të uraniumit.

“Qeveria ime do të përpiqet të krijojë baza bashkëpunimi me botën e jashtme, pasi ne besojmë se debati është çelësi për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshje”, theksoi Rouhani.

“Programet tona bërthamore janë tërësisht transparente, por jemi të gatshëm që të tregojmë edhe më shumë transparencë, për t’i treguar botës se Republika Islamike e Iranit vepron tërësisht në përputhje me paketat ligjore ndërkombëtare”, shtoi Rouhani, i cili gjithashtu falenderoi bashkëkombasit për zgjedhjen e platformës së tij të një islamizmi të moderuar.

Deklarata e Rouhanit vjen një ditë pasi në një telegram urimi, Uashingtoni apeloi presidentin e ri që të angazhohet për bisedime serioze, me qëllim zgjidhjen e problemeve mbi programin bërthamor.

Nën drejtimin e Ahmadinejad, paraardhësit të Rouhanit, Irani është bërë subjekt i sanksioneve të ashpra ndërkombëtare për shkak të programit të tij bërthamor dhe është kërcënuar me luftë prej SHBA-së e Izraelit, prandaj zgjedhjet e qershorit konsideroheshin si vendimtare, për të përcaktuar kursin e ardhshëm të vendit.

Top Channel