Komuna e Skënderajt, për dallim nga të tjerat, ka shënuar 14-vjetorin e çlirimit duke protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj paraburgosjes së 7 ish-pjestarëve të UÇK-së që vijnë nga ky rajon.

Të martën ish-pjestarë të UÇK-së nga pjesë të ndryshme të Kosovës, veshën sërish uniformën e tyre për t’i përkrahur bashkëluftëtarët e tyre.

“Është një padrejtësi se është e vërtetë që Sahit Jashari ka dhënë 15 anëtarë të familjes, e tani në liri të dënohet apo të arrestohet padrejtësisht, kur ende nuk dihet për masakrat që janë ushtruar edhe ndaj familjes Jashari”, thotë Selatin Rizani, ish-pjesëtar i UÇK-së.

Përvec tyre, qytetarë por edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe shefi i grupit parlamentar, Adem Grabovci, kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa e të tjerë, i’u përgjigjën thirrjes për protestë të shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së. Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka kërkuar lirimin e ish-pjestarëve të UÇK-së dhe gjykimin e tyre në liri.
 
“Komuna e Skënderajt vazhdon të besojë në drejtësi, ashtu siç beson fuqishëm në pafajësinë e kryetarit të komunës z. Sami Lushtaku dhe bashkëluftëtarëve të tij. Prandaj, kërkojmë fuqishëm që t’u hiqet masa e paraburgimit dhe në emër të drejtësisë të ballafaqohen në liri”, tha nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura.

Duke e akuzuar EULEX-in se nuk po bën asgjë që të zbardhë dhjetëra masakra në Kosovë nga forcat serbe, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Muharrem Xhemajli ka thënë se janë duke pritur Kuvendin e Kosovës pasi i kanë bërë kërkesë për ndërprejen e mandatit ekzekutiv këtij misioni.
 
“Më 3 qershor në dërguam kërkesë tek të gjithë deputetët e Kuvendit të cilët i votuam për të na përfaqësuar që ky mandat të ndërpritet menjëherë dhe jemi në pritje të përgjigjes së Kuvendit për kërkesën legjitime të popullit, kërkesës së familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe luftëtarëve. Edhe nga këtu i bëjmë thirrje Kuvendit dhe Qeverisë që të reflektojnë pozitivisht e të ndërpresin padrejtësinë që po i bëhet luftëtarëve”, tha Muharrem Xhemajli, veteran i luftës.
Në përkrahje të ish pjestarëve të UÇK-së dolën edhe prifti katolik Don Viktor Sopi si dhe Fahrush Rexhepi nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Misioni i BE-së është duke zhvilluar një proces hetimor nën dyshimin për krime lufte ndaj 7 ish-pjestarëve të UÇK-së nga rajoni i Drenicës, në mesin e të cilëve Sylejman Selimi që gjatë luftës njihej si “Sulltani”, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë, Sami Lushtaku, kryetar i komunës së Skënderajt.

Fillimisht ndaj 7 ish-pjestarëve të UÇK-së ishte vendosur masa e arrestit shtëpiak, por pas një jave ajo ishte ndryshuar me masën e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri më 24 qershor të këtij viti.

Top Channel