Afganistan, NATO dorëzon sigurinë

18/06/2013 00:00

Forcat afgane po marrin zyrtarisht sigurinë për të gjithë vendin nga trupat e NATO-s, duke kompletuar proçesin e nisur në vitin 2011.

Presidenti Hamid Karzai po ndjek një ceremoni në të cilën misioni ISAF i dorëzon kontrollin trupave vendase për të paktën 95 rajone.

Ngjarja shënon një gjurmë të rëndësishme që kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara iu shpalli luftë talebanëve pas sulmeve të 11 shtatorit në vitin 2001.

Në prag të evenimentit, një atentator vetëvrasës vrau tre persona në Kabul. Atentatori mendohet të ketë pasur si objektiv autokolonën e zv.presidentit të dytë të Afganistanit dhe një lider të minoritetit etnik Hazara, në perëndim të Kabulit. Për fat të mirë zv.presidenti Mohammad Mohaqeq ka mbetur i paprekur nga shpërthimi.

Dorëzimi i kontrollit të sigurisë nga forcat e NATO-s tek ato vendase nisi me rajonin e Bamijanit, në verë të vitit 2011. Rajonet e tjera që do të dorëzohen përfshijnë 13 në provincën e Kandaharit dhe nga 12 në Nagarhar, Khost dhe Paktika, të gjitha bastioneve të rebelëve në kufi me Pakistanin.

Numri i forcave afgane të sigurisë është rritur gradualisht nga 40 mijë që ishte para 6 vjetësh në 350 mijë në ditët e sotme. Por megjithatë, me marrjen përsipër të sigurisë, ushtria afgane ka pasur gjithashtu një rritje të humbjeve në radhët e saj.

Top Channel