Tregtia e lirë BE-SHBA

17/06/2013 00:00

Nga Irlanda e Veriut ku po zhvillohen punimet e samitit të G8, presidenti amerikan, Barack Obama i dha dritën jeshile nisjes së bisedimeve për tregti të lirë mes SHBA dhe Bashkimit Europian.

“Marrëveshja për tregti të lirë mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara vlen qindra-mijëra vende pune në të dy brigjet e Atlantikut, sidomos për të rinjtë”, deklaroi Obama.

Bisedimet për tregtinë e lirë mes SHBA-BE do të nisin në muajin korrik në Uashington, njoftoi presidenti i Komisionit Europian, Jose Barroso. Nisja e bisedimeve është mirëpritur nga gjithë drejtuesit e tjerë të lartë të Unionit, por edhe nga liderët e vendeve anëtare.

Por përse u vonuan kaq shumë dy palët për të mbërritur tek tregtia e lirë? Ajo që ka hezituar ka qenë gjithnjë pala amerikane. Presidenti Obama tha se hezitimi ishte për shkak se nuk kërkohej një marrëveshje e nxituar, por një marrëveshje e mirëdetajuar mes dy palëve.

Që tani po flitet për bisedime për të arritur një marrëveshje historike. Bëhet fjalë për dy standarde rregullash ekonomike, atij amerikan me një liri më të madhe dhe ai europian disi më i kontrolluar. Por sa do të përafrohen këto dy standarde në marrëveshjen për tregti të lirë? Kjo mbetet për t’u parë nëse në fund të bisedimeve do të ketë një marrëveshje, e cila nëse realizohet me siguri do të vendosë edhe rregullat e tregtisë globale. 

Top Channel