Tashmë edhe zyrtarisht, për herë të parë në historinë e tyre, Kosova dhe Serbia shkëmbyen mesditën e së hënës zyrtarët ndërlidhës.

Ashtu siç ishte parashikuar, në ora 12, zyrtari ndërlidhës i Serbisë në Kosovë, Dejan Paviçeviç, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe stafi i tij, ka hyrë në ndërtesën e Bashkimit Europian në Prishtinë, brenda së cilës do të ketë zyrën e tij. Para mediave, ai ka folur në serbisht dhe anglisht për angazhimin e tij në Kosovë.

“Ne këtu do të jemi të pranishëm për të lehtësuar komunikimin, për të lehtësuar zbatimin e të gjitha gjërave për të cilat është rënë dakord në Bruksel. Thjesht të ndihmojmë normalizimin e raporteve mes nesh. Nuk mund të flasim për normalizim të plotë mes dy shtetesh, por mes dy kombeve. Ne na nevojitet ky normalizim mes popullit serb dhe atij shqiptar. Kemi patur dallime, probleme dhe ende kemi disa mosmarrëveshje, por si popuj ne duhet të komunikojmë”, ka deklaruar Paviçeviç.

Paviçeviç, për sigurinë e të cilit do të përkujdeset Policia e Kosovës, tha se po ndihet shumë i sigurt në Kosovë. Po ashtu, ai ka shtuar se nuk është me mision diplomatik dhe se nuk ka imunitet, ndërsa ka përsëritur edhe frazën e njohur të shtetit të Serbisë se nuk e njohin Kosovën.

“Do ta them 100 herë, Serbia nuk e ka njohur shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Dhe do ta them këtë gjithnjë: Unë nuk jam këtu si amabasador, por si zyrtar ndërlidhës, për të komunikuar në mënyrë që t’i vijë në ndihmë zbatimit dhe normalizimit”, ka thënë Paviçeviç.

Shkëmbimi i zyrtarëve ndërlidhës është përshëndetur gjatë së hënës nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili u ka uruar suksese atyre. Ky moment, sipas Thaçit, është fuqizim i njohjes së realitetit të Kosovës nga Serbia dhe nga Kosova në raport me Serbinë si dy shtete sovrane.

“Ky është komunikimi i parë reciprok i nivelit të tillë diplomatik mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Është fuqizim i njohjes së realitetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe reciprokisht nga Kosova në raport me Serbinë si dy shtete sovrane. Siç e dini, Kosova do të jetë e përfaqësuar nga një ambasador në cilësinë e zyrtarit ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Beograd dhe obligimi dhe përgjegjësitë e këtij zyrtari janë të qarta, respektimi i plotë i Kushtetutës së Kosovës. Puna maksimale për lehtësimin për implementimin e plotë të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Thaçi.

Në të njëjtën kohë, edhe i emëruari si shef i Misionit të Posaçëm i Republikës së Kosovës në Serbi, Lulzim Peçi ka filluar punën e tij në Beograd. Shkëmbimi i zyrtarëve ndërlidhës mes Kosovës dhe Serbisë po bëhet pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Top Channel