Pas një debati të ashpër, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Legjislacion me shumicë votash u pajtuan që projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të shkojë në seancë të Kuvendit për miratim, por pa plan të veprimit.

Anëtarët e komisionit pas shumë kundërshtimeve nga ana e përfqueses së VV-së, Albulena Haxhiu, arritën të heqin dilemën rreth planit të veprimit që u dërgua nga qeveria në këtë komision së bashku me projektligjin për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Sipas anëtarëve, plani i veprimit është pjesë operacionale e ekzekutivit prandaj e kanë hequr nga projektligji për marrëveshjen që normalizon marrëdhëniet midis dy vendeve. Për këtë janë pajtuar shumica e anëtarëve të komisionit, por është kundërshtuar ashpër nga Albulena Haxhiu e Vetëvendojes.

“Diskutimet rreth asaj nëse duhet të jetë plani i zbatimit apo jo në këtë projektligj, nuk e zbeh fare thelbin e kësaj marrëveshjeje të dëmshme. Kjo, sepse plani i zbatimit rrjedh nga marrëveshja dhe si i tillë është dakordim i saj dhe çdo plan që do të rridhte nga kjo marrëveshje do të ishte i dëmshëm. Pra, miratimi i këtij projektligji pa planin e zbatimit nuk na shpëton nga dëmet dhe anti-kushtetutshmëria e tij”, ka deklaruar Haxhiu.

“Amendamentimi është ky: neni 2 riformulohet si vijon fushë veprimi. Fushë veprimi i këtij ligji është marrëveshja e parë ndërkombëtare e parimeve që rregullojnë marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe është pjesë përbërëse e këtij ligji. Ky ligj do të zbatohet nga Republika e Kosovës me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe forcave të KFOR-it, pra hiqet pjesa e planit të zbatimit”, ka deklaruar Arben Gashi, kryetar i komisionit.

E njëjta temë është diskutuar edhe në kryesinë e Kuvendit, ku siç raportohet, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci propozoi që të caktohet një seancë e veçantë për ratifikimin e marrëveshjes, e cila sipas tij do të duhej të mbahej të mërkurën më 19 qershor.

Siç njofton VV nëpërmjet një komunikate, Grabovci ka kërcënuar se, nëse kryesia e Kuvendit  nuk vendos për një seancë të tillë, atëherë kryeministri i Kosovës ka të drejtën ta detyrojë Kuvendin të vendosë për këtë çështje përmes mekanizmit të seancës së jashtëzakonshme.

Me gjithë këtë, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi thotë se plani i zbatimit të marrëveshjes të jetë pjesë e këtij projektligji, pasi sipas tij kjo është çështje më shumë teknike që duhet të merret ekzekutivi i vendit.

“Plani i zbatimit të marrëveshjes është krejt çështje e qeverisë së Kosovës në njërën anë dhe Serbisë në anën tjetër”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi nuk ka dashur të shprehë qëndrimin e tij se a do të përkrahë marrëveshjen apo jo, por ka thënë se plani i zbatimit është çështje teknike që i përket qeverisë së Kosovës të merret me të.

Top Channel