Itali, 16 miliardë në vit nga ekomafia

17/06/2013 00:00

Mbi 16 miliardë euro të ardhura në vit është bilanci i krimeve që kryhen kundër ambjentit në Itali, e që mbajnë firmën e organizatave kriminale më të fuqishme.

Sipas një raporti të hartuar nga Guardia di Finanza, Ecomafia 2013, janë regjistruar mbi 34 mijë krime ekologjike, janë denoncuar mbi 28 mijë persona, 161 janë arrestuar dhe janë bërë rreth 8.200 sekuestrime.

Sipas raportit, krimet në fjalë konsistojnë në groposjen ose derdhjen në det të mbetjeve toksike apo bërthamore të fabrikave në veri të vendit fqinj, që rekrutojnë grupe kriminale për t’i hequr qafe.

Raporti nënvizon se kuotat më të larta të krimeve ekologjike regjistrohen në rajonet jugore të vendit fqinj: Kampania, Siçili, Kalabri dhe Pulia, ku janë dhe bazat e organizatave mafioze lokale.

Autoritetet saktësojnë se klanet kriminale të përfshira në këtë biznes miliarder janë mbi 300, një shifër kjo që sipas tyre ka ardhur në rritje.

Ndërkohë, shtojnë autoritetet, është rritur me 4.6 për qind numri i zjarreve në pyje e kullota, që vihen kryesisht në periudhën e verës, për t’u mbrojtur përmes alibisë së temperaturave të larta.

Të dhënat në fjalë kanë shqetësuar presidentin Giorgio Napolitano, i cili ka apeluar: “Të sigurohet kontrasti maksimal kundër aktiviteteve ilegale që kryhen kundër ambjentit”.

Top Channel