" /> ">

“CNN”: Siri, alarm për fuqizimin e terrorizmit

17/06/2013 16:20

Divizionet e kryengritësve të lidhur me Al-Kaedën në Siri përbëjnë tashmë njësitë më të përgatitura të terrorizmit në botë, vlerësoi të hënën rrjeti mediatik “CNN”, duke cituar burime brenda inteligjencës amerikane.

Shqetësimi për grupin e “Al-Nusras”, një prej grupimeve radikale që po veprojnë aktualisht në Siri, në luftën kundër regjimit të Bashar al-Assad, është rritur ndjeshëm, ndërsa numri i ushtarëve i ka kaluar 10 mijë.

Njëkohësisht, Pentagoni duket i shqetësuar nga informatat e rezervuara, se “Al-Nusra”, po përpiqet në mënyrë aktive që të sigurojë armë kimike dhe armë të tjera të shkatërrimit në masë.

Sipas Uashingtonit, kjo organizatë ka lidhje të forta me Al-Kaedën dhe është përgjegjëse për aktivitete terroriste edhe në Irak.

Në këto kushte, ndërsa presidenti Obama tha në fundjavë se do të furnizojë me armë kryengritësit, pasi Assad shkeli linjën e kuqe duke përdorur armë kimike në vend, në analizën e “CNN”, shtrohen pikëpyetje të mëdha mbi efikasitetin dhe rrezikshmërinë e politikës së mbështetjes së rebelëve pa dallim, duke përfshirë edhe organizata të tilla ekstremiste.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lufta civile 27-mujore në Siri i ka kushtuar jetën të paktën 93 mijë sirianëve deri më tani.

Top Channel