Këshilli i Lartë i Shtetit në Greqi ka anuluar vendimin e kryeministrit Samaras për mbylljen e ERT.

Ai ka urdhëruar menjëherë lëshimin e sinjalit të kanalit shtetëror, deri në krijimin e një organizmi të ri televiziv. Por, Këshilli i Lartë i Shtetit nuk ka dhënë urdhër për anulimin edhe të pushimeve nga puna, të 2700 nënpunësve të këtij organizmi, duke lënë çdo gjë të paqartë për sa i përket kontratave të tyre të punës dhe duke hedhur topin tek udhëheqja politike e vendit.

Tre liderët e koalicionit qeveritar, që janë mbledhur paralelisht me Këshillin, kanë dalë menjëherë pas këtij vendimi me deklarata për shtyp. Sipas kryesocialistit Venizelos, është kërkuar nga kryeministri Samaras të interpretojë më qartë vendimin e drejtësisë, duke nënkuptuar se ristrukturimi i një organizmi si televizioni shtetëror duhet të bëhet në bazë të meritokracisë dhe jo në mënyrë anti-demokratike.

Gjithashtu, ai ka kërkuar që parlamenti grek të jetë ai, që duhet të aprovojë një organizëm të ri televiziv, sepse asnjë qeveri nuk është mbi parlamentin dhe nuk mund të errësojë ekranin e televizionit shtetëror.

Edhe lideri i së Majtës Demokratike ka theksuar se duhet që, menjëherë ERT të fillojë transmetimin e tij të plotë. Duhet që kryeministri, ka thënë edhe ai, të rishikojë edhe njëherë, në orët e ardhshme, me themel planin për ristrukturimin e këtij organizmi.

Ndërsa, burime pranë kryeministrit Samaras interpretojnë vendimin e drejtësise tepër pozitiv, pasi nënkupton krijimin e një organizmi të ri televiziv dhe mbylljen e atij ekzistues pas disa ditësh.

Ndërkohë, në këtë gjendje kaotike, që kanë shkaktuar vendimet e drejtësisë dhe të udhëheqjes politike, gazetarët dhe teknikët e këtij televizioni ngelen brenda ndërtesave, për të marrë vendime për lëvizjet e tyre të ardhshme, pasi kuptojnë se, megjithëse do të rihapet sinjali televiziv, ata janë faktikisht të pushuar nga puna.

Mbyllja e ERT rrezikoi që të çonte Greqinë në zgjedhje të parakohshme, pas mosmarrëveshjeve të liderëve të koalicionit qeverisës.

Top Channel