Një epokë e re për Iranin

16/06/2013 16:00

Fitorja e një figure të mbështetur nga reformatorët, si Hassan Rouhani, në zgjedhjet presidenciale të 14 qershorit, dërgon mesazhe të parehatshme për pushtetarët në Iran.

Konservatorët i mendonin të lehta këto zgjedhje. Por, kleriku 64-vjeçar injektoi intrigë të re. Që përpara votimeve, pati shenja të qarta se ky njeri do të përpiqej të rizgjonte lëvizjen e fjetur reformatore, edhe pse nuk ishte as zgjedhja e parë dhe as e dytë e tyre për kandidat.

Shumë i kishin varur shpresat tek ish-presidenti Mohammad Khatami, që vendosi të mos merrte pjesë në garë. Vështrimi u hodh paskësaj te politikani veteran pragmatist, Akbar Hashemi-Rafsanjani, i skualifikuar nga gara për këshillin e fuqishëm të gardianëve.

Dhe, kur në fillim të javës vendosi të tërhiqej edhe i vetmi kandidat reformator, Reza Aref, atëherë u arrit konsensusi për ta kaluar të gjithë mbështetjen te Rouhani.

Triumfi i tij, që në raundin e parë, kur befasoi me marrjen e 50,7% të votave, teksa pjesëmarrja ishte mbi 72%, ka ripërtërirë lëvizjen reformatore, duke derdhur jetë të re në venat e saj, pas 4 vite persekutimi, vendosjes së liderëve në arrest shtëpie, burgosjes së aktivistëve, censurimit të mediave favorizuese.

Reformatorët iranianë mendojnë se me hapin e hedhur të premten, votuesit i kanë dhënë një mandat për ndryshim, edhe pse Rouhani vetë shihet më shumë si një i moderuar i qendrës, se sa pjesë e qenësishme e tyre.

Triumfi i 64-vjeçarit, ishte një shok për ndjekësit e linjës së ashpër. Ai dëshmon se përkrahësit e reformave janë rikthyer në arenën politike të vendit dhe vazhdojnë të mbeten një forcë, që nuk duhet nënvlerësuar, pikërisht për shkak të mbështetjes së madhe që gëzojnë në popull.

Pyetja që ngrihet tani, është sa do të jetë në gjendje institucioni i vijës së ashpër të kuptojë mesazhin e ndryshimit, që elektorati ia dërgoi fort dhe qartë. Fitorja do të pasohet nga sfida kolosale e ringritjes së vendit në këmbë, duke riparuar dëmin e madh që i kanë shkaktuar Iranit, 8 vjet mosbesimi e përplasjesh me Perëndimin.

Top Channel