Të paktën tri nga pesë degët e LDK-së në Prishtinë e kanë përgatitur emrin Isa Mustafës, kryetarit të opozitës kosovare dhe të kësaj force politike, për ta propozuar për kryetar të Prishtinës para organeve partiake.

Burime të “Express” thanë se Lideri i LDK-së pritet të propozohet
zyrtarisht pasi të përfundojë raundi i parë i zyrtarizimit të
kandidaturave të kësaj partie për kryetar të bashkive.

“Sipas të gjitha gjasave Isa Mustafa do të jetë përsëri kandidat i LDK-s për kryetar të Prishtinës”, ka thënë një anëtar i kryesisë së LDK-së.

Duke ruajtur anonimatin, ai tha se Mustafa do të përsëritë veprimin që pati bërë në zgjedhjet e vitit 2010, kur si kryebashkiak i Prishtinës pati konkurruar edhe për zgjedhjet e përgjithshme.

Nga ana e tij, zëvendëskryetari Haku Rugova as konfirmoi dhe as përgënjeshtroi një mundësi të tillë. “Zyrtarisht nuk ka ardhur asnjë propozim dhe një mundësi, por nëse degët e Prishtinës mendojnë se Mustafa duhet të jetë kryetar, atëherë duhet ta respektojmë një vullnet të tillë. Megjithatë, edhe vetë Mustafa duhet të përballet me vullnetin e LDK-së në tërësi në të gjithë Kosovën”, tha Rugova për të përditshmen “Express”.

Top Channel