Iran, Ruhani fiton zgjedhjet

16/06/2013 00:00

Hasan Ruhani e cilësoi një fitore të moderimit kundër ekstremizmit zgjedhjen e tij në krye të shtetit iranian. Kleriku reformator siguroi pak më shumë se 50% të votave duke arritur kështu të shmangë nevojën për balotazh.

Me mijëra iranianë zbritën në rrugët e Teheranit pas shpalljes së rezultatit duke përsëritur sllogane pro-reformave. Ruhani u shpreh se me zgjedhjen e tij është krijuar një mundësi e re për të gjithë ata që respektojnë demokracinë, ndërveprimin dhe dialogun e lirë.

“Falenderoj Zotin që në Iran edhe një herë kanë triumfuar logjika dhe moderimi. Kjo fitore ishte një triumf i mençurisë, pjekurisë dhe vetëpërmbajtjes përballë ekstremizmit”, theksoi presidenti i ri.
 
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e  transparencës në këtë proces si dhe censurën e lartë, por e lavdëruan popullin iranian për zgjedhjen e bërë e deklaruan se janë të gatshëm të punojnë me Teheranin. Kryeministri izraelit, Benjamin Netaniahu, kërkoi nga ana tjetër që presioni ndërkombëtar mbi republikën islamike për programin e saj bërthamor të vazhdojë edhe pas këtyre zhvillimeve.

Ajo e Ruhanit ishte një fitore mbresëlënëse mbi konservatorët në fuqi. Favoriti i reformatorëve dhe ish-negociator i bisedimeve bërthamore mori gati 19 milionë vota nga 37 milionë iranianë që dolën në votime, apo 70% të elektoratit. Ai është pasuesi i presidentit Mahmoud Ahmadinejad, i cili nuk mund të kandidonte për një mandat të tretë. Këto ishin zgjedhjet e para presidenciale që kur Ahmadinejad u rizgjodh president në mënyrë të debatueshme në vitin 2009, çka u bë shkas për protesta masive në vend dhe shtypjen e përgjakshme të tyre nga qeveria.

Top Channel