Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i saj ishin temë diskutimi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pas prezantimit të raportit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë kërkuan mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes.

Por, ndërsa kryeministri i Kosovës kërkoi përfundimin e misionit të OKB-së, UNMIK, dhe një rezolutë të re në përputhje me realitetin, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, kërkoi prezencë më të madhe të UNMIK-ut në veri, në mënyrë që – sipas tij – të garantohet zbatimi i Rezolutës 1244.

“Ne presim përkrahjen e mëtejshme të shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe komunitetit të gjerë ndërkombëtar në zbatimin e marrëveshjes, si dhe kompletimin e njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë paraqet një moment të ri, të rëndësishëm, për këtë Këshill, për të marrë në konsideratë kalimin e një rezolute të re për t’i dhënë fund mandatit të UNMIK-ut në Kosovë. Të tregojë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për marrëveshjen e parë, të sigurojë mbështetje për Bashkimin Europian që të monitorojë zbatimin e marrëveshjes dhe gjithashtu të tregojë mbështetje për të dyja palët, që të funksionojnë plotësisht si fqinjë të pavarur të antarëve të shoqërisë ndërkombëtare”, u shpreh Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

“Për të gjitha përpjekjet që ne po bëjmë, mendojmë se është e domosdoshme të ketë një prani më të madhe të UNMIK-ut, në mënyrë që të garantohet zbatimi i rezolutës 1244, e cila ka një legjitimitet për të përmbushur të gjitha detyrat. Për momentin, ne presim që bashkësia ndërkombëtare të japë një mbështetje për zbatimin e marrëveshjes dhe krijimin e stabilitetit rajonal”, tha Ivica Daçiç, kryeministër i Serbisë.

Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, Prishtina dhe Beogradi janë lavdëruar për arritjen e marrëveshjes, ndërsa është theksuar se me këtë marrëveshje serbët kanë fituar të drejta shtesë në veri, në kuadër të asociacionit.

Top Channel