SHBA do dërgojë armë të lehta në Siri

15/06/2013 05:20

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të dërgojnë armë të lehta, municione dhe me shumë mundësi armë kundra-tank për rebelët në Siri, kanë bërë të ditur zyrtarë të familjarizuar me këtë cështje.

Administrata e presidentit Barack Obama ka refuzuar të japë detaje mbi asistencën në rritje ushtarake për rebelët, pas zyrtarizimit gjatë ditës së enjte, se Siria ka kaluar “vijën e kuqe” me përdorimin e armëve kimike.

Ben Rhodes, zëvendës/këshilltar për Sigurinë Kombëtare, tha për reporterët se Washington-i do të “rrisë masën dhe fushëveprimin e mbështetjes”. Kur u pyet për më shumë detaje, Rhodes tha: “Nuk mund të jap një listë të detajuar se cfarë ndihme do të jepet”.

Armët do të dërgohen përmes CIA-s, sipas zyrtarëve, të cilët janë shprehur për CNN. Ata folën në kushtet e anonimitetit, për shkak të ndjeshmërisë së kësaj cështjeje.

Britani mbështeti menjëherë ndryshimin e pozicionit të Shteteve të Bashkuara, por Siria dhe aleati më i madh i saj, Rusia, u përpoqën me shpejtësi të vinin në dyshim integritetin e këtij veprimi.

Ministria e Jashtme siriane akuzoi Washington-in se kishe dhënë “një deklaratë plot me gënjeshtra, në lidhje me përdorimin e armëve kimike në Siri”, sipas deklaratës së lëshuar në televizionin shtetëror sirian.

Top Channel