Tashmë janë bërë përgatitjet që Kosova dhe Serbia, për herë të parë në historinë e tyre, të shkëmbejnë zyrtarët ndërlidhës.

Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi ka deklaruar gjatë së shtunës se përgatitjet tashmë janë bërë, ndërsa ka sqaruar se të dy zyrtarët, sipas marrëveshjes, kanë imunitet në shtetet që do të punojnë.

“Ambasadori Peçi do të jetë diplomat rezident i Kosovës në Beograd, po e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Prishtinë me përfaqësuesin serb. T’ju konfirmoj një gjë, pa kurrfarë dyshimi, përfaqësuesi jonë dhe përfaqësuesi serb kanë imunitet të plotë dhe mbrojtje nga ligji. Domethënë, kanë të gjitha të drejtat e mbrojtjes dhe imunitetit”, ka deklaruar Selimi.

Zyrtari serb Dejan Paviçeviç do të punojë në ndërtesën ku ndodhet zyra e Bashkimit Europian për Kosovën. Përsa i përket çështjes së sigurisë, Selimi tha se të dy shtetet kanë përgjegjësi për të ofruar mbrojtje 24-orëshe për zyrtarët.

“Do të ketë mbrojtje 24-orëshe. Jemi duke jetuar në kohëra jo fort të qëndrueshme. Ne nuk kemi kurrfarë arsyeje të besojmë që ambasadori Peçi apo përfaqësuesi serb në Kosovë nuk do të jenë të mbrojtur, por me rëndësi është që në këtë fazë të normalizimit mos të lejojmë eksese që dëmtojnë një proçes që është historik. Kosova për herë të parë do të ketë zyrën e vet në Beograd dhe do të jenë njerëzit tanë atje. Deri tani Serbia ka pasur këtu njerëz dhe nuk ka pasur kontrolle se kush po hyn apo kush po shkon. Tani po hyjmë në kanale të stabilitetit dhe të marrëdhënieve formale”, ka nënvizuar Selimi.

Një ditë më herë, ish-ambasadori i Kosovës në Suedi tha për Top Channel se të hënën do të jetë në Beograd në ora 12 dhe se detyrat që do të kryejë janë të njëjta me ato të çdo shefi të misionit diplomatik, si dhe do të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dyplaëshe mes vendeve.

Hapja e këtyre zyrave ndërlidhëse bëhet në vazhdën e plotësimit të një nga kushteve të marrëveshjes së arritur në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiç.

Top Channel