Irlandë, protesta kundër G8-ës

15/06/2013 16:00

Forca të shumta policore janë vendosur në rrugët e Belfastit, në Irlandë, për të ruajtur sigurinë nga protestat kundër samitit të G8-ës.

Tubimet janë organizuar nga Kongresi Irlandez i Sindikatave Tregtare, në prag të mbledhjes së liderëve më të fuqishëm të botës, e parashikuar për ditën e hënë.

KIST deklaroi se një miliard njerëz jetojnë në varfëri ekstreme në mbarë botën për shkak të kapitalizmit Perëndimor dhe politikave të liderëve të grupimit G8.

Duke folur para protestuesve, kryetarja e KIST-së, Pamela Dooley tha: “Është detyrim i sindikatave dhe lëvizjeve të shoqërisë civile që të bashkohen dhe të kërkojnë politika të reja dhe më të mira”.

Zonja Dooley theksoi se liderët e G8-ës nuk japin pëlqimin e tyre për të ndryshuar politikat në favor të të varfërve dhe shtoi se papunësia në Irlandë është rritur në nivele të papreçedenta.

“Në Republikën e Irlandës prosperiteti për njerëzit që punojnë ka marrë fund, ndërsa në Irlandën e Veriut pothuajse një e treta e popullsisë klasifikohet ekonomikisht joaktive”, nënvizoi Dooley.

“Ne e dimë që po përballemi me pasojat e një sistemi kapitalist të korruptuar që s’njeh standarte morale. Është një sistem që vendos përfitimin përpara popullit dhe që gjithmonë do të veprojë kështu. Është një sistem për pakicën dhe jo për shumicën”, shtoi kryetarja.

Top Channel