Prej 15 ditesh disa ish-pjestarë të UÇK-së kanë hyrë në greve urie, në qendër të Prishtinës. Në fillim, ata që kërkonin lirimin e Grupit të Drenciës ishin 5. Por për shkak të mosushqyerjes, shokët e tyre janë detyruar ta ndërpresin grevën.

Edhe pse të plogësht, ata vazhdojnë të qëndrojnë ulur në karrike para qendrës së paraburgimit në Prishtinë. Tre ish-luftëtarët thonë se do ta vazhdojnë grevën derisa EULEX-i të plotësojë kërkesën e tyre për lirimin e 7 ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga rajoni i Drenicës, në mesin e tyre edhe ambasadori aktual i Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi.

“Ne kemi dashur të protestojmë ndaj kësaj burgosjeje të padrejtë dhe kërkojmë që ata të dalin dhe të mbrohen në liri, që të ushtrojnë funksionet e tyre. Është e padinjitetshme për shtetin e Kosovës që bartësit e funksioneve të jenë në paraburgim”, thotë grevisti Ibrahim Kelmendi.

Kërkesat e këtyre grevistëve edhe pas 15 ditësh nuk gjetën përkrahje nga asnjë prej institucioneve shtetërore. Forca opozitare Vetëvendosje duket se ka qenë subjekti i vetëm politik që i ka vizituar ish-luftëtarët grevistë.

“Ne e dimë që faktori i brendshëm është nën një presion të madh ndërkombëtar, por ata të paktën duhet të kthenin një përgjigje”, shprehet grevisti tjetër Blerim Muriqi.

Ky është reagimi më ekstrem ndaj arrestimit dhe paraburgimit të grupit të komandantëve të UÇK-së nga zona e Drenicës, ndaj të cilëve EULEX po zhvillon hetime lidhur me dyshimet për krime lufte.

Top Channel