Kryeministri grek, Andonis Samaras ka deklaruar se një numër i vogël personash mund të punësohen për të organizuar lajmet dhe programet në televizionin publik të Greqisë, derisa të organizohet një shërbim i ri.

Samaras është kritikuar ashpër për urdhërin e papritur të mbylljes së transmetuesit publik ERT. Oferta për një konçesion vjen pas presioneve të partnerëve në koalicionin qeverisës.

Mbyllja e papritur e ERT-së është pjesë e planit qeveritar për të reduktuar shpenzimet publike. Qeveria tha se ky veprim ishte një masë jetike për të ndihmuar në përmbushjen e detyrimeve të vendit kundrejt borxhit të lartë publik.

Kryeministri Samaras e cilësoi institucionin si një “parajsë të shpërdorimit” dhe tha se do ta riaktivizonte atë në përmasa më të vogla dhe si një transmetues publik të pavarur.

Zoti Samaras pritet të takojë partnerët e tij të koalicionit ditën e hënë për të diskutuar mbi çështjen në fjalë. Ai synon që zëvendësimi i transmetuesit të caktohet brenda verës.

Ndërkohë, Sindikata Evropiane e Transmetimit, EBU, i ka bërë thirrje qeverisë greke që ta rihapë ERT-në. Një peticion i firmosur nga 51 drejtorë të përgjithshëm, përfshirë atë të BBC Tony Hall, pritet t’i dorëzohet qeverisë së Athinës.

EBU e cilësoi veprimin e qeverisë si “anti-demokratik” dhe “joprofesional”. Teleshikuesit e ERT panë transmetimet të ndërpriteshin gjatë së martës. Ndërsa të premten tërë vendi mbajti grevë në shenjë proteste ndaj vendimit. 

Top Channel