
Mbrëmjen e së premtes u zhvillua ceremonia e dorëzimit te çmimeve prestigjoze David i Donatellos, ekuivalenti italian i Oscarit. Mes fituesve qe edhe regjisori shqiptar prej shumë vitesh me banim në Itali, Roland Sejko.
Ai u nderua me këtë çmim të rëndësishëm për dokumentarin e tij “Anija”, i prodhuar nga Instituti Luce. Filmi i Sejkos, pasi u paraqit në një sërë festivalesh të rëndësishme dhe si rrallë herë për vepra të këtij lloji është shfaqur dhe po shfaqet edhe në kinemaëe italiane.
Përpara dorëzimit të çmimit Donatello, fituesit u pritën nga presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano. Çmimi David i Donatellos jepet nga Akademia Italiane e Kinematografisë dhe është vlerësimi më i lartë për një veper kinematografike në Itali.
E këtë herë mes fituesve qe një regjisor shqiptar me një vepër që shpalos me emocion por edhe kthjelltësi eksodin e viteve nëntëdhjetë, një prej fenomeneve më të dhimbshme por edhe të bujshme që ka lidhur Italianë me Shqipërinë.
Për realizimin e filmit të tij, Roland Sejko është bazuar mbi dokumente të panjohura, mbi foto dhe xhirime të gjetura në arkivat e filmit në Shqipëri, Itali, Francë dhe Angli.
Gjatë rrugëtimit të tij ai ka kërkuar dhe gjetur disa prej atyre mijëra personave që patën mbushur anijet e barkat që mbërritën në Itali. E në film ka rrëfyer një copëz historie shqiptare, një histori që është bërë tanimë edhe pjesë e historisë italiane.
Top Channel