Armatosja e kryengritësve në Siri

15/06/2013 00:00

Për Shtetet e Bashkuara, Siria e ka kaluar vijën e kuqe. Gjatë luftimeve mes palëve në konflikt janë përdorur armë kimike nga ushtria siriane.

Zëvendëskëshilltari i presidentit Obama për sigurinë kombëtare, Ben Rhodes tha se, “vendimi për të armatosur kryengritësit sirianë është finalizuar dhe nuk do të ndryshojë nga bisedimet e javës së ardhshme me krerët G8-ës”. Sipas tij, Uashingtoni beson se 100-150 persona janë vrarë nga qeveria me gaz helmues.

“Përdorimi i armëve kimike shkel normat e qarta ndërkombëtare. Për dekada, bashkësia ndërkombëtare ka dashur të përmirësojë një normë kundër kësaj arme. Duke iu referuar viktimave masive, llojit të armës së shkatërrimit në masë dhe efektit që kemi parë kur është përdorur në të shkuarën, atëherë kjo nuk duhet të jetë vetëm vija e kuqe për SHBA. Duhet të jetë vija e kuqe për bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi”, deklaroi Rhodes.

Rhodes gjatë një konference për shtyp iu përgjigj edhe Kremlinit, që rrëzoi faktet e Uashingtonit për përdorimin e gazit sarin. “Kemi fakte të shumta lidhur me incidente të përdorimit të armëve kimike që pohojmë që kanë ndodhur. Kjo përfshin raportime nga burime, shërbimet sekrete dhe rrëfime individuale, madje përfshin edhe kampione fiziologjike të gazit sarin që në i gjetëm brenda Sirisë. Ne pohojmë me besimin më të madh se gazi sarin është përdorur dhe regjimi ruan këto armë”, theksoi Rhodes.

Zyrtarët amerikanë thanë se Obama do të përpiqet të bindë Putin që të heqë dorë nga mbështetja për Assad, kur dy udhëheqësit të takohen në Irlandën e Veriut në samitin e G8-ës. Rhodes tha se do të ishte shumë herë më e vështirë dhe e kushtueshme për caktimin e një zone ndalim-fluturimi mbi Sirinë, sesa në Libi, duke nënvizuar se SHBA nuk kanë interesa kombëtare në ndjekjen e kësaj mundësie.

Rusia: Jo “ndalim-fluturimi” mbi Siri

Ministri i Jashtëm rus, Sergei
Lavrov ka deklaruar se çdo përpjekje për të formuar një zonë
ndalim-fluturimi mbi Siri, duke përdorur avionë luftarakë amerikanë dhe
raketa nga Jordania është në shkelje me ligjin ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara kanë transportuar raketa “Patriot” dhe avionë “F-16” në Jordani, zyrtarisht në kuadër të një stërvitjeje vjetore. Nga ana e saj, Rusia kundërshton çdo ndërhyrje ushtarake të huaj në Siri.

“Ka pasur rrjedhje nga mediat perëndimore që flasin për krijimin e mundshëm të një zone ndalim-fluturimi mbi Siri përmes vendosjes së raketave anti-ajrore “Patriot” dhe avionëve “F-16” në Jordani”, ka deklaruar Lavrov.

“S’është nevoja të jesh ekspert i madh për të kuptuar se kjo gjë është në shkelje me ligjin ndërkombëtar”, ka shtuar shefi i diplomacisë ruse.

Gjithashtu, Lavrov ka thënë se provat e paraqitura nga Shtetet e Bashkuara për përdorimin e armëve kimike në Siri nuk përmbajnë kriterin e besueshmërisë të vendosur nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.

Administrata amerikane deklaroi më herët gjatë muajit se do të furnizojë me armatime rebelët sirianë për shkak të provave se forcat e regjimit të Asad kanë përdorur armë kimike në luftën civile.

Kryengritjet kundër presidentit Bashar al Assad, që nisën në vitin 2011, kanë lënë deri tani, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 93 mijë persona të vdekur.

Top Channel