Udhëtimi përurues për “Airbus 350”

14/06/2013 08:50

Avioni i ri i gjigantëve europianë “Airbus”, “A350”, do të realizojë gjatë të premtes fluturimin e tij përurues.

Avioni, i cili ka mbi 600 porosi pa u hedhur ende në treg, është reklamuar nga “Airbus” si “fjala e fundit” e teknologjisë aeronautike.

Rivali kryesor i “Boeing 787 Dreamliner”, që ka përjetuar një seri problemesh në lëshimin e tij në treg, “A350” është një prej avionëve më efiçentë në përdorimin e karburantit.

Udhëtimi përurues do të nisë të premten nga qyteti francez i Tuluzës, pranë të cilit ndodhen edhe linjat kryesore të prodhimit të “Airbus”.

Avioni do të kryejë një seri manovrash në ajër, përpara se të ulet sërish në Tuluzë, përpara qindra gazetarëve dhe fotografëve që do të ndjekin këtë eveniment.

”Airbus”, prodhuesi europian, rivali më i madh i amerikanëve të “Boeing”, shpreson që të nxjerrë në përdorim avionët e parë në mesin e 2014-s.

Me kapacitet nga 270-350 pasagjerë dhe me një kosto nga 277-320 milionë dollarë në varësi të specifikave, “A350” mbetet për momentin ende pas rivalëve të “Dreamliner”, të cilët që prej fluturimit të parë në 2009-n kanë marrë 890 porosi.

Top Channel