Sulmet terroriste në Turqi, 13 arrestime

14/06/2013 15:40

Të paktën 13 persona u arrestuan në Turqi, si të dyshuar për përfshirje në dy sulmet me autobombë, që i kushtuan në fundjavë jetën 47 civilëve, në një qytet pranë kufirit me Sirinë.

Përveç dhjetëra viktimave, mbi 100 persona u plagosën nga shpërthimet e ndodhura në Reyhanli dhe disa prej tyre vazhdojnë të jenë në gjendje kritike për jetën.

Lajmin për këto arrestime, e dha ditën e martë zëvendëskryeministri Besir Atalay, i cili shtoi se policia po vazhdon të hetojë për persona të tjerë që mund të kenë lidhje me këto sulme terroriste.

”Duke qenë se hetimet janë në vazhdim, nuk mund të identifikojmë as personat dhe as emrat e organizatës përgjegjëse për ngjarjet e Reyhanlisë”, shtoi Atalay.

Megjithatë, disa orë pas shpërthimeve, qeveria turke akuzoi rebelët markistë, si përgjegjës në bashkëpunim me qeverinë siriane.

Ndonëse Damasku ka mohuar çdo përfshirje, sipas Turqisë, të besuar të al-Assadit janë ata që furnizuan me lëndën shpërthyese eksponentët e organizatës markiste, një grupim i konsideruar si “organizatë terroriste” nga Ankaraja zyrtare.

Aktualisht, Turqia akomodon rreth 300 mijë refugjatë sirianë, të ndodhur kryesisht në kampe pranë kufirit.

Top Channel