Shtëpia e Bardhë: Siria kaloi “vijën e kuqe”

14/06/2013 01:30

Siria ka kaluar tashmë “vijën e kuqe” me përdorimin e armëve kimike, përfshi edhe gazin sarin, ndaj rebelëve, një lëvizje që detyron Shtetet e Bashkuara të rrisin “shkallën dhe fushëveprimin” e mbështetjes së tyre ndaj opozitës, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë të enjten.

Kjo deklaratë është e para, që administrata e presidentit Barack Obama ka lëshuar në mënyrë përfundimtare, duke pranuar atë që është dyshuar prej një kohe të gjatë: që forcat e Bashar al-Assad kanë përdorur armë kimike gjatë luftës civile, që ka përfshirë vendin.

“Komuniteti i zbulimit përllogarit se 100 deri në 150 njerëz kanë vdekur nga sulmet e zbuluara me armë kimike në Siri deri tani, gjithsesi të dhënat për viktimat janë ende të paplota”, tha Ben Rhodes, zëvendës/këshilltar i Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike, gjatë një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

“Ndërkohë që, vdekshmëria e këtyre lloj sulmesh përbën vetëm një pjesë të vogël të humbjeve katastrofale të jetëve në Siri, që tashmë përllogariten në mbi 90 mijë vdekje, përdorimi i armëve kimike shkel normat ndërkombëtare dhe kalon qartësisht vijën e kuqe, që ka ekzistuar me komunitetin ndërkombëtar prej dekadash”, shtoi Rhodes.

Administrata reagoi gjithashtu për të theksuar se do të bëjë hapa përpara në mbështetje të rebelëve, të cilët kanë bërë thirrje për furnizime me armë nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët, aq shumë të nevojshme për t’u përballur me forcat e al-Assad.

“E thënë më thjesht, regjimi i Assad duhet të dijë se veprimet e tyre na kanë bërë të rrisim fushëveprimin dhe shkallën e asistencës, që do ofrojmë për opozitën, përfshi këtu mbështetje direkte ndaj Këshillit Suprem Ushtarak të rebelëve. Këto përpjekje do të vazhdojnë më tej, duke u rritur ndjeshëm”, thuhej në deklaratën e Rhodes.

Më pas, ai u tha reporterëve në një konferencë, se presidenti ka marrë një vendim për mbështetje ushtarake ndaj rebelëve, por u ndal vetëm në faktin se qeveria amerikane do të ofrojë armë në duart e rebelëve.

Ai saktësoi se ende nuk është marrë vendim nga Obama, nëse do të vendoset një zonë “jo-fluturimi” në Siri, diçka e kërkuar nga forcat rebele, për të ndalur bombardimet ajrore të forcave të Assad në fortesat e tyre.

Top Channel