SHBA, zjarret vdekjeprurëse të Kolorados

14/06/2013 09:00

Dy persona mbetën të vrarë nga zjarret që kanë përfshirë qindra hektarë pyje në veri të qytetit amerikan të Colorado Springs, informuan mediat amerikane gjatë së premtes.

Trupat e asfiksuar nga tymi u zbuluan në rajonin e njohur si Pylli i Zi, ku gjatë dy ditëve të fundit, flakët kanë shkatërruar rreth 360 shtëpi.

Mbi 38 mijë persona janë shpërngulur ndërkohë nga banesat e tyre, ndërsa autoritetet i kanë cilësuar flakët si më shkatërrimtaret ndonjëherë në historinë e shtetit të Kolorados.

Shqetësues është një zjarr që po kërcënon aktualisht urën më të madhe të varur të botës, të vendosur mbi lumin e Arkansas.

Një strukturë e pritjes së turistëve pranë kësaj ure ndërkohë është djegur, prej zjarrit të nisur nga thatësira e pazakontë e muajit qershor në Kolorado.

Në total, 1 275 hektarë janë djegur ose po digjen nga vatra kryesore e zjarreve dhe zjarrëfikëset kanë arritur të përmbajnë vetëm 20% të zjarrit.

Një tjetër vatër, e nisur nga një shkreptimë, është duke djegur më në veri Parkun Kombëtar të Rocky Mountain.

Top Channel