SHBA, skedimi përmes ADN-së

14/06/2013 01:00

Në Shtetet e Bashkuara nuk janë përgjuar vetëm celularët apo faqet e internetit.

Qindra-mijëra amerikanë të dyshuar për aktivitete kriminale, por edhe njerëz të pafajshëm, rrezikojnë të skedohen përjetë, sepse ADN-ja e tyre është ruajtur në laboratorët e dhjetra agjencive lokale të policisë.

Lajmi publikohet nga gazeta amerikane “New York Times”, sipas të cilës shumë persona nuk ishin në dijeni të këtij veprimi.

“New York Times” shkruan se “deri pak kohë më parë, marrja e ADN-së ishte përgjegjësi ekskluzive e FBI-së. Tashmë, një numër në rritje i agjencive të policisë, në Shtetet e Bashkuara, mbledhin kampionët në një dosje”.

Kohët e fundit, Gjykata e Lartë mori një vendim në mbështetje të ligjit të Merilendit, që u lejoi autoriteteve të mbledhin kampione ADN-je, nga ata që janë arrestuar për krime të rënda.

Ky fakt, siç shkruan gazeta, vjen në një moment, kur në SHBA debati i ditës është shkelja e privatësisë së shtetasve amerikanë.

“New York Times” nënvizon faktin se, praktika nuk ka të bëjë me shumë persona të arrestuar për krime, por edhe të pafajshëm.

“Shpesh ADN-ja jepet nga disa të pandehur, në kuadër të bisedimeve për dënimin, apo si shkëmbim për uljen e akuzave, madje edhe dënimit”.

Kreu i Agjencisë Sekrete amerikane të Përgjimeve, Keith Aleksander, mbrojti programet e survejimit të Shteteve të Bashkuara, të cilët u bënë publik nga ish-nëpunësi i CIA-s, Edward Snowden.

Siç tha Aleksander, përmes tyre u eleminuan disa komplote terroriste dhe, me publikimin e tyre nga Snowden, SHBA është më pak e sigurt. Nga ana tjetër, autoritetet kineze thanë se nuk kanë asnjë informacion për të dhënë mbi vendndodhjen e Snowden.

Top Channel