Diplomati amerikan Edward Joseph, ish-zëvendësshef i misionit të BE-së në Kosovë, u ka drejtuar përmes një letre një apel krerëve të lëvizjes Vetëvendosje.

Joseph, i cili para pak ditësh mori pjesë në një debat të zhvilluar në Universitetin John Hopkins në Uashington me Albin Kurtin dhe Shpend Ahmetin, u ka kërkuar atyre që të ndërrojnë qëndrim politik nëse duan të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara.

Letra e dërguar nga diplomati amerikan, e publikuar nga analisti Daniel Serwer në profilin e tij në rrjetin social Twitter, e vë theksin tek çështjet që propagandohen nga Vetëvendosje, si bashkimi me Shqipërinë dhe refuzimi i marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel.

Në letrën e tij, Joseph i bën pesë rekomandime Vetëvendosjes, duke i kërkuar që të reflektojë:

1. Fjala mund të jetë e lirë, por qëndrimet kanë koston e tyre;

2. Sado të bindur që të jeni në lidhje me vlerat e bashkimit me Shqipërinë, ju po e ekspozoni vetën ndaj një përçmimi të mundshëm politik;

3. Ndaluni së protestuari për pavarësinë e kufizuar;

4. SHBA-të shqetësohen shumë për kushtet e komunitetit serb në Kosovë, ashtu siç duhet të shqetësoheni edhe ju;

5. Ndaluni së sulmuari marrëveshjen e 19 prillit dhe shikoni të gjeni rrugë për t’u siguruar se po implementohet si duhet.

“Liria e shprehjes ju lejon që ta shtyni përpara pozicionin tuaj për bashkimin me Shqipërinë. Por duke bërë këtë është shumë e vështirë për ju që të prezantoheni si një figurë e përgjegjshme me të cilën Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunonin. Kjo pikëpamje në fund do të bëhet e qartë për votuesit shqiptarë të Kosovës, të cilët do të kuptojnë se unifikimi me Shqipërinë është më pak joshës, sapo të bëhet e qartë se kjo mund të nënkuptojë dëmtimin e marrëdhënieve më thelbësore që ka Kosova: ato me SHBA-të. Edhe nëse i fitoni zgjedhjet, ju do ta humbisni kredibilitetin atëherë kur propozimi juaj për bashkim nuk do të shkojë askund”, thotë Joseph në letër.

Top Channel