Rritja e sigurisë rrugore përmes “eCall”

14/06/2013 00:00

Komisioni Europian propozoi sistemin europian të emergjencës për rritjen e sigurisë rrugore, të quajtur “eCall”.

Brenda tetorit të vitit 2015, të gjitha llojet e reja të makinave priten të pajisen me teknologjinë, që sipas Komisionit mund të shpëtojë nga aksidentet rrugore rreth 2500 jetë në Europë, çdo vit.

“Në rast aksidenti, edhe nëse shoferi është pa vetëdije, sistemi do të bëjë një telefonatë automatike dhe qendrat e urgjencës do të mund të jenë më efikase, pasi do të nisin një ambulancë shumë më shpejt se ç’mund ta bëjnë sot. Studimet dëshmojnë se rreth 50% e vdekjeve ndodhin brenda disa minutave, 30% brenda disa orëve dhe rreth 20% në ditët dhe javët në vijim. Falë “eCall”, përgjigja e urgjencës do të shkurtohet me 40% në zonat urbane dhe deri në 50% në ato rurale”, tha Siim Kallas, zëvendës/president i Komisionit për çështjet e transportit.

Ky sistem pritet të aktivizohet vetëm në rast aksidenti, duke dërguar një mesazh automatik mbi llojin e makinës, karburantit që përdor, si dhe vendndodhjen dhe drejtimin e saktë të mjetit.

“Ky nuk është një sistem për të kontrolluar qytetarët europianë, pasi do të funksionojë vetëm në rast aksidenti. Pra, mbrojtja e të dhënave dhe e jetës private të bashkëqytetarëve tanë është e sigurt”, tha Antonio Tajani, zëvendës/president i KE për çështjet e industrisë dhe ndërmarrjeve.

Ky propozim u mirëprit edhe nga Federata Ndërkombëtare e Automjeteve, e cila nuk harroi të theksojë vonesën prej katër vitesh, pa të cilën, sipas përllogaritjeve të vetë Komisionit, mund të ishin shpëtuar mijëra jetë njerëzish, nga aksidentet e ndryshme rrugore në Europë.

Sistemi “eCall” mund të përmbajë edhe shërbime shtesë, për ndihmë në rast defektesh, informacione mbi trafikun, apo ndjekjen e mjeteve të vjedhura.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Top Channel