
Majemi rikthehet në “pole-position” për të fituar titullin kampion në NBA, ndërsa 65 pikë nga LeBron James dhe Dwyane Wade udhëhoqën Heatsat në një fitore 109-93, përballë San Antonios.
Kjo ishte finalja e katërt, e një serie që përfundon me suksesin e katërt të një prej dy skuadrave. Për momentin, rezultati është 2-2 dhe Majemi tashmë ka garancinë që do të luajë një ndeshje të gjashtë në shtëpinë e tij (e shtata nëse ka nevojë, do të luhet përsëri në Majemi).
Pas një “dushi të ftohtë” në ndeshjen e tretë, në të cilën Spursat dominuan qartësisht, rikthimi në nivelet më të mira të dyshes Wade-LeBron rezultoi i parezistueshëm për San Antonion, ku ra në sy forma e dobët e argjentinasit Ginobili, me vetëm pesë pikë të shënuara.
Në këtë finale, Heats nuk e vendosën asnjëherë në diskutim fitoren, duke dominuar që në fillimin e pjesës së parë, kjo edhe falë saktësisë së shkëlqyer në gjuajtje, me konvertimin e 60% të gjuajtjeve dypikëshe nga loja në pikë.
Në total, James shënoi 33 pikë dhe zotëroi 11 topa në tabelë, ndërsa Wade shënoi 32 pikë e dha 6 asist. Bosh gjithashtu një kontribut të rëndësishëm, me 20 pikë, po aq sa Tim Duncan, më i miri mes basketbollistëve të San Antonios.
Top Channel