Murdoch, divorc nga gruaja e tretë, pas 14 vjetësh martesë

14/06/2013 04:10

Një tjetër shuplakë e fortë po bën bujë nëpër botë, edhe pse këtë herë në aspektin ligjor.

Dy vite pasi Wendi Deng pushtoi titujt për mbrojtjen me forcë të të shoqit, shefin ekzektutiv të “News Corporation”, Rupert Murdoch, nga një hetim kriminal i Parlamentit britanik, ajo dhe marrëdhënia e tyre ka përfunduar sërish në krye të lajmeve.

Murdoch ka kërkuar divorcin nga Deng, gruaja e tretë e tij, një zëdhënës i manjatit të medias ka konfirmuar të enjten. Ende nuk dihet se çfarë shkaktoi ndarjen dhe dhënien fund të martesës, që nisi në 1999. Spekulime ka pasur prej muajsh, në lidhje me marrëdhëniet e çiftit.

E lindur në Kinë, e arsimuar në Yale, Deng ka qenë e suksesshme edhe para se të hidhej në krahët e Murdoch, edhe pse kritikët e thumbojnë atë si një “aventuriere”, për shkak të martesës së saj me një manjat mediash.

Ndërkohë që burri i saj 82-vjeçar drejton një nga konglomeratet mediatike më të fuqishme të botës, atë që përfshin “20th Century Fox”, “Fox TV” (Fox News dhe FX), shërbimet Sky news, botuesin “HarperCollins” dhe shumë gazeta, përfshi “Wall Street Journal”, britaniken “The Times” dhe disa kompani botuese në vendlindjen e tij, Australi, Deng ka qëndruar jashtë mase larg syrit të publikut.

Kjo ndodhi deri në korrik të 2011-s. Ajo ishte ulur pas Murdoch në Parlament, në Londër, teksa ai dëshmonte në lidhje me përfshirjen e kompanisë së tij në një skandal përgjimesh telefonike, që goditi Britaninë.

Komediani Jonnie Marbles iu drejtua me shkumbë rroje, ndërsa Deng kundërveproi, duke e goditur në mushkëri.

Parlamentari Tom Watson, i cili vetëm disa minuta më parë kishte qenë veçanërisht kritik i titanit të medias, tha: “Zoti Murdoch, gruaja juaj paska një të majtë të fuqishme”.

Mediat sociale shpërthyen në kundërpërgjigje të asaj, që shumë shpejt u bë e njohur si “shuplaka që u dëgjua në gjithë botën” dhe që i dha asaj nofkën “gruaja tigër”. Reagim të fortë pati edhe në mediat kineze, ku shumë veta e lavdëruan veprimin e Deng, si një moment lavdie për gruan aziatike.

“Sa më fortë të godiste ajo, aq më shumë mund të themi se sa e paduruar ishte ajo për të mbrojtur bashkëshortin… ajo është ende një grua, që lufton për dashurinë”, shkruhej dikur.

Top Channel