
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti të premten në një takim përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, me të cilin bisedoi për proçesin e zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Sipas ligjit aktual, ato duhet të mbahen përfundimisht deri më datën 15 dhjetor. Ndërsa sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, zgjedhjet për 4 komunat në veri të Kosovës, Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut duhet të mbahen brenda tetorit.
Presidentja Jahjaga theksoi se zgjedhjet lokale duhet të mbahen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë, sepse kështu jepet mesazhi më i mirë për të gjithë qytetarët.
Ndërsa për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës ajo theksoi se është i domosdoshëm angazhimi dhe përkrahja e OSBE-së.
Nga ana e tij Zhbogar shprehu qëndrimin se zgjedhjet duhet të jenë të drejta, të lira dhe të ndershme dhe të ketë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve dhe premtoi ndihmën e OSBE-së dhe angazhimin konkret.
Për të respektuar marrëveshjen e arritur në Bruksel mbeten datat 20 dhe 27 tetor si data të mbajtjes së zgjedhjeve komunale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, njofton Presidenca.
Top Channel