Iran, mbyllen votimet për presidentin e ri

14/06/2013 23:00

Kutitë e votimit u mbyllën, pasi miliona iranianë votuan për të zgjedhur presidentin e ardhshëm, që do të zëvendësojë Mahmud Ahmadinexhad.

Tetë vitet e tij në pushtet u karakterizuan nga vështirësitë ekonomike dhe sanksionet e Perëndimit mbi programin aq të debatuar bërthamor.

Radhët e gjata të iranianëve pranë qendrave të votimit detyruan autoritetet të zgjasin me 5 orë procesin. Numërimi i votave pritet të nisë në mesnatë, me orën lokale, dhe rezultatet do të bëhen publike pas 24 orësh.

Megjithëse të gjashtë kandidatët konsiderohen konservatorë, njëri prej tyre, kleriku Hasan Ruhani, shihet si reformator. Ai u vu në fokus, pasi foli për afrimin me Perëndimin. Ai u zotua për lirimin e të burgosurve politikë dhe bëri thirrje për reformë në media.

Mbështetja për të u shtua, pasi kandidati reformist, Mohamad Reza Aref, u tërhoq nga gara, pas këshillës së ish-presidentit reformator, Mohamad Katami. Aktualisht Ruhani gëzon mbështetjen e dy ish-presidentëve, Katamit dhe Akbar Hashemi Rafsanxhanit, të cilët u skualifikuan nga gara prej Këshillit Mbrojtës.

Megjithatë, ai përballet me kandidatë të fortë, përfshirë kryenegociatorin për çështjen e bërthamoreve, Saeed Xhalili, dhe kryebashkiakun e Teheranit, Mohamed Baqer Qalibaf.

Kandidatët e tjerë janë konservatorë dhe të afërt me udhëheqësin suprem, Ajatollah Kamenei. Ministri i Brendshëm, Mostafa Mohamad Naxhar, tha se kandidatët do të kenë tre ditë kohë për t’ia paraqitur kërkesat Këshillit Mbrojtës, nëse do të jenë të pakënaqur me rezultatin.

Mahmud Ahmadinexhad votoi në Teheran, i shoqëruar nga zv/presidenti Mohamad Reza Rahimi dhe zëdhënësi i qeverisë, Golam Hosejn Elham.

Asnjë vëzhgues i huaj nuk monitoroi procesin, shumë gazeta reformatore u mbyllën në Iran, pati kufizime të internetit dhe televizioneve të huaja, madje u ndaluan edhe gazetarë.

Top Channel