Financat futen në krizë?!

14/06/2013 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë së muaji maji ishte katastrofik për
financat e shtetit. Sipas Ministrisë së Financave të ardhurat nga taksat
ranë me 30 për qind krahasuar me majin e vitit 2012.

Shifrat tregojnë se kjo është rënia më e madhe e të gjitha kohërave, duke nxjerrë jashtë parametrave ligjor të gjithë treguesit e buxhetit. Në total si pesëmujor, të ardhurat e mbledhura në arkën e shtetit janë 10.7 miliardë lekë më pak se plani dhe mbi 7.6 miliardë lekë më të ulëta se një vit më parë.

E thënë ndryshe, për pesë muajt e parë të vitit, shifra e të ardhurave që janë mbledhur në buxhet është më e ulëta e katër viteve të fundit. Por teksa të ardhurat po bien me ritme të shpejta, në prag të zgjedhjeve qeveria ka rritur fort shpenzimet.

Sipas shifrave, krahasuar me një vit më parë shpenzimet e shtetit janë rritur me 16 miliardë lekë ndërsa krahasuar me planin buxhetor të periduhës ato janë 6.3 miliardë lekë më shumë.   Rënia e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve e kanë cuar deficitin, vetëm për pesë muajt e parë në 425 milionë dollarë. Kjo është 2.2 herë më shumë se një vit më parë dhe 1.7 herë më shumë se plani i periudhës.

Në draftin fillestar kufiri ligjor i deficitit për vitin 2013 ishte 48.9 miliardë lekë. Por në prill Qeveria bëri një ndërhyrje duke e rritur shifrën në 60.7 miliardë lekë. Sipas vendimit, shtesa do të financohej me paratë e privatizimeve për të shlyer borxhet e prapambetura ndaj biznesit. Por me rimtet e pesëmujorit edhe ky kufi i rritur i deficitit ka gjasa të tejkalohet. Nga ana tjetër rënia e të ardhurave pritet të vazhdojë për shkak të efekteve nga uljet e taksave që qeveria miratoi në prag të zgjedhjeve, ndërkohë që shpenzimet jo vetëm nuk janë vënë nën kontroll por janë rritur përtej çdo kufiri.

Financat publike rrezikojnë të dalin jashtë kontrollit

Qeveria po përfshihet me shpejtësi në krizë financiare. Ulja e taksave dhe shpenzimet e larta para zgjedhjeve e kanë nxjerrë buxhetin jashtë kontrollit duke i cuar financat e shtetit ndoshta në pikën më të ulët që nga vitit 1997.  

Mjaftuan vetëm 5 muaj që buxheti i autorizuar nga Kuvendi në fillim të vitit të rrëzohet zyrtarisht. Por edhe me këtë situatë, qeveria vazhdon ekspansionin fiskal. Një ditë më parë Këshilli i Ministrave lajmëroi rritje të re pagash dhe një shumë rekord të vendosur për dëmshpërblimin e të përndjekurve.Në kushtet kur të ardhurat ndodhen në pikiatë historike, Qeveria që do dalë pas zgjedhjeve të qershorit ka vetëm dy rrugë. Ose të rrisë borxhin në nivele të frikshme, ose të ndërmarrë masa të dhimbshme deri nën ndërprerjen totale të investimeve për të vënë financat nën kontroll. Të dyja me kosto të mëdha për ekonominë. E para rrit rreziqet për krizë financiare e dyta dëmton rritjen ekonomike.

Financat e qeverisë ndodhen prej kohësh nën presionin e krizës. Ky është viti i 5-të. Por asnjëherë më parë, treguesit fiskal nuk kanë devijuar kaq fort nga kufijtë ligjor kur ende ska kaluar as gjysma e vitit. Rreziqet përballë kësaj situate janë të mëdha. Vetë buxheti i shtetit është sa rreth 30 për qind e Prodhimit Kombëtar. Përfshirja e tij në krizë, hap skenarë të paimagjinueshëm për ekonomoninë e ndrydhur nën një krizë që duket se s’ka fund.

Top Channel