Pas akuzave të shumta në drejtim të misionit të Bashkimit Eropjan nga ana e ish-pjesëtarëve të UÇK-së lidhur me dyshimet për krime të luftës ka reaguar shefi i misionit EULEX, Bernd Borchardt.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp ai ka thënë se prokuroret e EULEX-it nuk i ndjekin rastet duke u bazuar në politikë, por duke u bazuar në dëshmitë që kanë. Sipas tij, ekzistojnë 300 dosje të pazgjidhura te prokurorët e Kosovës dhe ata të EULEX-it në kuadër të Prokurorisë Speciale.

Ai thotë se prokurorët e Kosovës dhe ata të misionit evropian aktualisht janë duke hetuar 100 raste të krimeve të luftës dhe shton se shumica e krimeve në Kosovë janë bërë nga serbët të cilët për shkak se nuk janë në Kosovë nuk mund t’i hetojë.

Ndër të tjera, ai po ashtu thekson se EULEX ka iniciuar 51 raste të reja të krimeve të luftës, përfshirë hetimet e para që janë bërë ndonjëherë lidhur me rastet ku veprat e dhunës seksuale apo të dhunimit janë vlerësuar si krime lufte.

“T’i sqarojmë gjërat. Prokurorët e EULEX-it, si edhe të gjithë prokurorët e tjerë të Kosovës, nuk i ndjekin çështjet duke u bazuar në politikë. Ata i ndjekin rastet duke u bazuar në dëshmi. T’i themi gjërat troç. Pjesa më e madhe e të dyshuarve për krime lufte të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës janë serbë të Kosovës, ose shtetas serbë. Por ata nuk janë më në Kosovë. Gjyqësori i Kosovës (përfshirë EULEX-in) mund të kryejë hetime kundër autorëve të pretenduar të krimeve, por ka juridiksion vetëm në Kosovë. Ne të gjithë veprojmë sipas ligjit të Kosovës dhe ligji i Kosovës thotë që askush nuk mund të gjykohet në mungesë. Nëse autorët e pretenduar të krimeve janë jashtë vendit, nuk mund të bëjmë shumë, vetëm mundemi t’i ndajmë informatat të cilat i kemi me shërbimet e ndjekjes penale në juridiksionet e tjera dhe ne e bëjmë këtë”, thotë Borchardt.

Në letrën e tij, shefi i misionit të EULEX-it thekson se pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës të dyshuar për krime lufte kanë kryer krime kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës.

Sipas tij, autorët e veprave janë në Kosovë, brenda juridiksionit të Kosovës dhe është parim kryesor i sundimit të ligjit që të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin.

“E vërteta është që ndonjëherë krimet ndodhin në kontekst të luftës. E vërteta është që populli i Kosovës mund ta bëjë dallimin ndërmjet përpjekjes së vet dhe krimeve të luftës të cilat janë kryer në emrin e tij. E vërteta është që pikërisht populli i Kosovës jep informata të cilat ofrojnë bazë për dëshmi kundër bashkëqytetarëve të tyre kosovarë. Është e vërtetë që nganjëherë është vështirë të përballemi me të vërtetën. Megjithatë, po ashtu është e vërtetë që drejtësia duhet të realizohet dhe duhet të përpiqemi që të realizohet, sidomos për secilën shoqëri që dëshiron ta kërkojë vendin e saj në komunitetin e popujve”, thekson Borchardt.

Ky reagim i shefit të EULEX vjen pas shfaqjes së posterave anti-EULEX në rrugët e Kosovës, si dhe letrës së hapur të deputetëve Lutfi Haziri dhe Berat Buzhala dërguar Bernd Borchardt. Në letër akuzohet misioni evropian se po monton gjykime bazuar mbi thashetheme dhe inate personale.

“Shumica e aktakuzave të ngritura kohëve të fundit për krime të luftës nuk kanë asgjë të përbashkët me luftën. Janë thjesht hakmarrje primitive në mes të dy lagjeve, dy fshatrave apo dy partive politike që zanafillën e kanë shumë më përpara se të mendohej apo të ndodhte lufta në ish-Jugosllavi”, thuhet në letrën drejtuar EULEX-it.

Top Channel