Ambrosini i jep lamtumirën Milanit

14/06/2013 15:15

Massimo Ambrosini është i mallëngjyer në konferencën e fundit për shtyp si lojtar i Milanit. Mesfushori veteran theksoi se eksperiencën me kuqezinjtë nuk ka për ta harruar kurrë, por gjithashtu shtoi se priste më tepër vëmendje nga drejtuesit e klubit.

“I falenderoj të gjithë për 18 vitet e mrekullueshme që kam kaluar dhe që nuk do t’i harroj kurrë. Jam i hidhëruar, por e konsideroj veten një futbollist me fat. E kuptoj vendimin e shoqërisë për të mos më rinovuar kontratën, por do të doja më shumë vëmendje. Do të vazhdoj të luaj futboll”, theksoi ish-kapiteni i kuqezinjve.

Në lidhje me të ardhmen, Ambrosini nuk përjashtoi një aventurë të re tek Fiorentina: “Është një shoqëri e rëndësishme që ka një projekt të madh, një skuadër shumë të mirë dhe një trajner shumë të mirë. Nëse do më kërkonin, do e dëgjoja me kënaqësi ofertën. Jam i bindur që kam ende për të dhënë në futboll. Tani do të shoh ofertat dhe do të bëj zgjedhjen time.”

Me fanellën e Milanit, Massimo Ambrosini ka luajtur 489 ndeshje duke shënuar 36 gola. Futbollisti 36-vjeçar ka fituar 4 kampionate italiane, 2 Champions League, 1 Kupë Italie, 2 Superkupa Italiane, 2 Superkupa Europe dhe 1 Botëror për Klube FIFA.

Top Channel