Kryeministri kosovar Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Shtetet e
Bashkuara ka nderuar me mirënjohje senatorin amerikan Mark Kirk dhe
kongresmenin Eliot Engel.

Ceremonia e nderimit u bë në hapësirat e Kongresit amerikan në Capitol Hill, me rastin e 14-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat policore dhe pushteti serb.

Në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga qeveria e Kosovës thuhet se, senatori Mark Kirk ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në përkrahjen politike dhe ushtarake, si në përforcimin e idesë për ndërhyrje ushtarake në Kosovë në vitin 1999, ashtu edhe gjatë kohës së bombardimeve.

Kryeministri Thaçi e shfrytëzoi këtë pritje ceremoniale për të falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Senatori Mark Kirk dhe kongresmeni Eliot Engel evokuan kujtime nga periudha e krizës së Kosovës dhe falenderuan popullin kosovar për ndjenjat e theksuara pro-amerikane.

Më herët gjatë qëndrimit në Uashington, Thaçi u takua me zëvendëssekretarin e Shtetit, William Burns. Thaçi tha gjatë takimit se Kosova është e gatshme për fillimin e implementimit të marrëveshjes me Serbinë, duke bërë edhe ndryshimet legjislative që do të miratohen në Kuvendin e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është duke dërguar mesazhe të qarta tek qytetarët e veriut, në mënyrë që të përmirësohet jeta e banorëve në atë pjesë të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Nga ana e tij, zoti Burns siguroi përkrahjen e SHBA-ve për marrëveshjen e arritur dhe theksoi se në të ardhmen nuk do të mungojë asnjëherë kontributi i Uashingtonit që ky pakt të implementohet.

Top Channel